Lidhje

Vrapuesit kenianë dhe dopingu


Atletika e Kenias është lëkundur pasi fituesja e maratonave të Bostonit dhe Çikagos rezultoi pozitive për përdorimin e substancave të paligjshme. Sipas një raporti të kohëve të fundit, dopingu po bëhet një çështje serioze në vend dhe tani disa vrapues nga Kenia kanë frikë se skandali mund të mjegullojë reputacionin e tyre, si vrapuesit më të shpejtë në botë. Hilary Heuler njofton nga Nairobia.

Kur Rita Jeptoo kapërceu vijën e finishit në Maratonën e Çikagos në tetor, duke e fituar këtë garë për herë të dytë, nuk ishin vetëm spektatorët ata që e duartrokitën. Bashkatadhetarët kenianë të Jeptoo-s menduan se kishin shënuar një tjetër fitore atletike impresionuese. Jeptoo po ashtu pati fituar Maratonën e Bostonit tre herë dhe dy vrapues të tjerë kenianë dolën të parët në maratonën që u zhvillua në Nju jork në fillim të nëntorit.

Por kjo eufori nuk zgjati shumë. Në fund të tetorit doli se Jeptoo kishte rezultuar pozitiv për përdorimin e substancës EPO, e njëjta drogë që rrit performancën sportive, të cilën pati pranuar se kishte përdorur edhe çiklisti amerikan Lance Armstrong. Jeptoo është atletja e vetme keniane e një niveli të lartë sportiv që rezulton pozitive për përdorimin e një substance të ndaluar.

Jeptoo mohon të ketë përdorur EPO. Atletika e Kenias, komiteti drejtues i sporteve të vendit, e ka kujtuar publikun se rezultati i analizave të saj ende nuk është i përfundimtar. Por ky skandal e ka shokuar tashmë komunitetin atletik të Kenias.

John Mwithiga prej 25 vjetësh trajnon atletë nga Kenia, përfshirë një numër atletësh që kanë shënuar rekorde kombëtare. Ai thotë se dopingu është bërë problem vetëm kohët e fundit.

“Në vitet '80 nuk kishim doping në Kenia. As në vitet '90 . Që nga viti 2000 jemi duke dëgjuar raste të dopingut."

Jeptoo nuk është atletja e parë nga Kenia, që kapet me doping dhe John Mwithiga thotë se edhe para skandalit të fundit, reputacioni i Kenias për vrapues që nuk përdorin substanca të paligjshme, kishte filluar të ndryshonte.

“Para rreth dy vjetësh isha në Poloni për garat e vrapit dhe dëgjova njerëz nga Majazia dhe vende të tjera të thonin se "tani do të kemi garë me dopingasit".

Akuza të tilla e shqetësojnë John Mwithigan, që këmbëngul se rezultatet e larta të atletëve të tij janë në saje të stërvitjes së madhe dhe talentit natyral. Menaxherët e huaj, thotë ai, janë përgjegjësit për futjen e drogave mes sportistëve kenianë. Profesori për ligjet dhe mjekësinë sportive, Moni Wekesa, është dakord me pothuajse gjithshka që thotë John Mwithigan.

“Për një kohë të gjatë Kenia ka patur imazhin se ka vrapues natyralë, që nga Olimpiket e Romës të vitit 1960, e kështu me radhë. Përsa i përket vrapimit në distanca të largëta, talenti i tyre i madh është i paimagjinueshëm. Shumica e vrapuesve kenianë ushtrojnë talentit e tyre natyral."

Disa muaj më parë, Moni Wekesa kryesoi një task-forcë kundër dopingut, raporti i së cilës i paraqitur muajin e kaluar ishte problematik për Kenian. Sipas raportit, vendi nuk ka asnjë lloj kontrolli për parandalimin e dopingut dhe se drogat mund të përdoren nga të gjithë; po sipas raportit, shumica e atletëve nuk kanë informacion të mjaftueshëm për të bërë zgjedhjet e duhura.

“Ky është një problem vërtet i rëndë, sepse për këtë çështje nuk ka fare njohuri dhe federatat e sporteve nuk po bëjnë asgjë dhe nuk kanë bërë asgjë më parë. Nuk zhvillohet asnjë lloj edukimi për dopingun. Shumë atletë nuk e kanë idenë çfarë drogë të marrin dhe përse e marrin."

Por të thuash se të gjithë atletët nga Kenia marrin drogë, do të ishte e padrejtë, thotë ai, sidomos duke patur parasysh që substancat e ndaluara përdoren më shumë në Perëndim.

Por ai shton se ndjekja me kujdes e performancës së sportistëve nga Kenia do të ishte diçka e mirë për vendin.

“Ky perceptim do të vinte në kohën e duhur për Kenian, sepse për një kohë të gjatë, kenianët besonin, se kanë aftësi të natyrshme për të vrapuar dhe për sportet në përgjithësi dhe se dopingu nuk ishte problem për ta. Por tani, me këtë lloj publiciteti, mendoj se është momenti kur autoritetet të shqetësohen dhe të marrin masa."

Në fillim të nëntorit, një ministër i qeverisë së Kenias pranoi se vendi ka probleme me dopingun dhe njoftoi planet për hapjen e një agjencie kundër dopingut brenda këtij viti.

XS
SM
MD
LG