Lidhje

Mbeturinat, shqetësim në Kepin e Rodonit


Të rinj nga Tirana e Durrësi kanë pastruar disa tonelata mbeturinash nga kjo zonë piktoreske me vlera për turizmin

Grupe të rinjsh nga Tirana dhe Durrësi pastruan qindra tonelata mbeturina në plazhin e Kepit të Rodonit. Kjo ishte një përpjekje për të rehabilituar një nga pikat më piktoreske të Shqipërisë dhe për të ndërgjegjësuar me këtë veprim opinionin publik për gjendjen e rëndë të mjedisit të zonave turistike të Shqipërisë.


Organizata “Tirana Expres”, klubi “Rojet e Kepit” dhe qendra “Smart Tourist Albania” ngritën një kamping në afërsi të Kepit të Rodonit dhe për 2 ditë me radhë mblodhën të gjitha mbeturinat jo vetëm në vijën e plazhit por edhe në brendësi të detit me mjete të vogla lundruese.

Kepi i Rodonit është një zonë bregdetare pa ndërtime të çrregullta si ato me të cilat është mbushur gjithë vendit gjatë tranzicionit. E veçanta e kësaj ndotjeve masive në këtë zonë është fakti që aty shkarkohen një sasi e madhe mbeturinash urbane që lundrojnë lumi i Lanës, lumi i Tiranës, lumi Ishëm dhe lumi Mat. Këto tonelata me mbetje lundrojnë për kilometra të tëra përgjatë territorit shqiptar për t’u shkarkuar nga këta 4 lumenj pikërisht në brigjet e Kepit të Rodonit.

Aktualisht ky Kep me vlera të rralla nayrore dhe historike është shndërruar në një kosh të madh mbeturinash. Të rinjtë bashkëpunuan në këtë lëvizje edhe më një firmë të riciklimit të mbetjeve urbane dhe çdo gjë që u grumbullua aty u nis me kamionat e firmës drejt për në fabrikë. Ata kanë krijuar edhe një grupim të tyre që e kanë quajtur klubi “Rojet e Kepit”.

Të rinjtë thonë se ndërgjegjësimi i qytetarëve për të ruajtur të pastër Kepin e Rodonit është një punë e vështirë sepse: së pari, nuk duhen hedhur mbeturina në lumenj banorët e Tiranës, të Durrësit, të Matit, Milotit, Laçit, Fushëkrujës dhe një dyzinë fshatrash nga gjarpërojnë këta lumenj.

Kepi i Rodonit njihet ndryshe si Kepi i Skënderbeut. Aty gjendet dhe nje kishë ku thuhet se është martuar Skënderbeu, heroi kombëtar i Shqipërisë. Sipas mitologjisë ilire Redoni ishte hyjnia e detit. Bukuritë natyrore dhe objektet e vjetra historike aty i nxitën të rinjtë që të kryejnë të parin operacion pastrimi, i cili do të vazhdojë sepse aty sapo është bërë një rrugë e re që së bashku me vizitorët do të shtojnë edhe mbetjet e tyre.
XS
SM
MD
LG