Lidhje

NASA dhe misioni Kepler

  • Rosanne Skirble

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, po u jep fund përpjekjeve për të riparuar teleskopin Kepler dhe po e përqendron vemendjen tek analizat e të dhënave të mbledhura gjatë katër vjetëve të fundit nga teleskopi në kërkim të planeteve të tjera të ngjashëm me Tokën, përreth yjeve të tjera të galaktikës tonë.

I filluar në vitin 2009, misioni Kepler kishte për qëllim gjetjen e planeteve të tjera në madhësinë e Tokës, pranë ose në zonën e banueshme, në rajonin e trupave yjorë ku në sipërfaqen e planeteve ekziston uji i lëngshëm. Studjuesi kryesor i misionit, William Borucki, u tha gazetarëve, se teleskopi Kepler ka qënë shumë i sukseshëm.

“Në fillim të misionit askush nuk e dinte nëse planetet në madhësinë e Tokës ishin të shumtë apo të rrallë në galaktikën tonë. Tani, me përfundimin e vëzhgimeve të Keplerit, ne e dimë se galaktika jonë është e mbushur plot me planete. Ka të ngjarë që kur shikon natën në qiell dhe e shikon atë të mbushur me yje, shumica e tyre kanë planetë”.

Kepleri ka zbuluar 135 planetë dhe mbi 3500 trupa që mund të jenë kandidatë për planetë, me madhësi dhe distanca orbitale të ndryshme. Shumica e tyre janë të vegjël si Toka.

Misioni 4-vjeçar u zgjerua në vitin 2012, por përfundoi javën e kaluar pasi inxhinierët nuk arritën të riparonin dy nga rrotat e teleskopit që janë të nevojshme për pozicionimin me saktësi të mjetit. Zv/menaxheri i projektit, Charles Sobeck, thotë se vendimi ishte i qartë.

“Rezultati tregoi atë që ne prisnim, rrotat ishin dëmtuar mjaft dhe nuk mund të shërbenin më si pikë kontrolli për një periudhë më të gjatë”.

Me uljen e aftësisë vëzhguese të teleskopit, ekipi i Keplerit po shqyrton opcionet nëse teleskopi i hapësirës mund të kryejë misione të një tipi tjetër, mundësisht duke përfshirë kërkimin e planeteve më të afërt, duke përdorur dy rrotat operacionale dhe mjetet e tij vëzhguese. William Borucki thotë se NASA i ka bërë thirrje komunitetit shkencor për të shprehur ide.

“Ato nuk janë propozime. Ata nuk po kërkojnë fonde. Ata po sugjerojnë ide dhe ne po pyesim se ‘cila prej tyre do të ishte praktike’? Cila prej tyre do të justifikonte koston?’”

Borucki thotë se misioni shkencor i Keplerit në asnjë mënyrë nuk ka përfunduar. Ekipi po përqendrohet tani në mbledhjen e të dhënave nga teleskopi Klepler gjatë katër vjetëve të fundit, për të cilat Borucki pret të rezultojnë në mijëra zbulime të reja.

“Dhe kështu gjatë disa vjetëve të ardhshëm, kur ne të kemi përfunduar këto analiza, do të jemi të aftë për t’iu përgjegjur pyetjes që frymëzoi misionin Kepler: A janë Tokat diçka e zakonshme apo të rralla në galaktikën tonë?”

Borucki thotë se udhëtimi i Keplerit është “hapi i parë i rëndësishëm në eksplorimin e galaktikës tonë”. NASA ka në plan të lëshojë misionin pasues të Keplerit në vitin 2017. Transiting Exoplanet Survey Satellite ose TESS do të vihet në kërkim të planetëve më të mëdhenj dhe më afër sistemit tonë diellor se sa Kepleri. Ai do të përqendrohet në një zonë rreth 3 mijë vite drite larg.
XS
SM
MD
LG