Lidhje

Këpucët që rriten

  • June Soh

Siç e dimë të gjithë, fëmijëve iu rritet shpejt këmba dhe nuk iu bëjnë më këpucët. Kjo i lë shpesh fëmijët që jetojnë në varfëri të skajshme pa alternative tjetër, por të ecin zbathur. Rreth 300 milionë fëmijë në mbarë botën nuk kanë këpucë dhe janë të prirur të vuajnë nga sëmundje të parazitëve. Një burrë në qytetin Nampa të shtetit Ajdaho ka një zgjidhje praktike për ta - këpucë që rritet bashkë me fëmijët. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, June Soh ka përgatitur materialin.

Këta fëmijë janë të lumtur që kanë një palë këpucë të reja që do t’u bëjnë gjithmonë. Këpucët e dhuruara mund të zgjaten deri në pesë numra dhe mund të përdoren për një kohë të gjatë.

“Ato zgjaten në tre vende; përpara, anash dhe mbrapa. Ato mund të përdoren deri në pesë vjet. Pjesa e poshtme është prej gome plastike, ndërsa pjesa e sipërme është lëkurë e cilësisë së lartë.”

Këpucët janë krijimi i Kenton Lee i cili dikur punoi si vullnetar në një shtëpi fëmijësh në Kenia.

“Një ditë, pash një vajzë të vogël me një fustan të bardhë që ecte pranë meje. Më kujtohet që i pash këpucët e saj të vogla. Ato ishin shumë të vogla për këmbët e saj. Ishin aq të vogla saqë ajo i kishte prerë përpara duke lënë gishtin e madh t’i dilte jashtë. Më kujtohet se si në atë çast mendova: sa mirë do të ishte po të kishte këpucë që rriteshin bashkë me këmbën.”

Por nuk ishte e lehtë ta ktheje këtë ide në realitet.

“Fillova të mbaj shënime dhe të shkruaja të gjitha arsyet përse ishte e rëndësishme për mua të përpiqesha të krijoja këpucë që mund të zmadhoheshin dhe të ndihmoja fëmijët.”

Më në fund, në vitin 2009 ai themeloi një organizatë jo-fitimprurëse të quajtur “Because International”. Këto këpucë që zoti Lee i mban në zyrën e tij janë një kujtesë e angazhimit të tij.

“I thash vetes nuk do të blej këpucë të reja derisa ta realizojë këtë ide. Dhe këto janë këpucët që vesha për pak më shumë se pesë vjet. Por kur e realizuam idenë, më në fund bleva një palë këpucë të reja.”

Deri tani, në bashkëpunim me organizata partnere, “Because International” ka dërguar më shumë se 50 mijë palë këpucë në 70 vende. Këpucët vijnë në dy numra. Numri i vogël është për fëmijët katër deri në nëntë vjec, dhe numri i madh për ata nga 9 në 14.

“Pjesa më e madhe e këpucëve tona shkojnë në vednet e Afrikës Lindore si Kenia, Uganda dhe Etiopia. Shumë këpucë dërgohen edhe në Haiti, Nikaragua, dhe në disa vende të Amerikës Qendrore.”

Zoti Lee tregon se shumë fëmijë jetojnë në zona që nuk kanë kushte të duhura sanitare. Shumë sëmundje ngjitëse që transmetohen nga kontakti me tokën dhe parazitët, hyjnë në trupin e fëmijëve përmes këmbeve të tyre të zbathura.

“Eshtë vërtetë prekëse. Ata janë të sëmurë për një kohë të gjatë. Nuk janë në gjendje të përballojnë kujdesin shëndetësor. Kështu që shumë prej tyre mbeten mbrapa, nuk shkojnë në shkollë. Nuk mësojnë dhe nuk rriten ashtu si duhet.”

Zoti Lee beson se një palë këpucë jep më shumë sesa mbrojtje për këmbët; ato ofrojnë dinjitet. Ai thotë se synon të shpërndajë këpucët e tij tek sa më shumë fëmijë në mbarë botën.

"Eshtë një gjë e vogël që sjell ndryshim të madh për t’i mbajtur fëmijët të shëndetshëm, të gëzuar dhe me më shumë shanse për t’u bërë të suksesshëm,” thotë ai.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG