Lidhje

Kërkohet mbajtja në paraburgim për personat e arrestuar për drogë në Nju Jork


Kërkohet mbajtja në paraburgim për personat e arrestuar për drogë në Nju Jork
Kërkohet mbajtja në paraburgim për personat e arrestuar për drogë në Nju Jork

Prokurorët amerikanë kërkuan mbajtje në paraburgim për shumicën e personave të arrestuar dje në operacionin e antidrogës në Nju Jork.

Prokurorja Loreta Linç, në një letër drejtuar gjykatës dhe të publikuar sot nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, thotë se personat e akuzuar, shumica me origjinë shqiptare, përbëjnë një rrezik serioz për komunitetin. Arsyeja që jep prokurorja është se të akuzuarit përballen me burgime të gjata, kanë akses në sasi të mëdha parash, udhëtojnë shpesh jashtë vendit dhe kanë lidhje të ngushta me persona jashtë Shteteve të Bashkuara.

Sipas prokurores, ata janë të gjithë anëtarë dhe bashkëpunëtorë të një organizate kriminale ndërkombëtare që vazhdimisht ka kërcënuar dëshmitarët. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ky rrjet ndërkombëtar i drogës, drejtohej nga shqiptarë me banim në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropë.

Agjentët federalë bënë dje bastisje në shtatë banesa të kontrolluar nga ky rrjet trafikimi, duke kapur 18 armë zjarri dhe qindra fishekë. Ata mendohet se janë përgjegjës për importimin dhe shpërndarjen e dhjetëra mijëra kilogramëve marihuanë nga Kanadaja dhe Meksika, si dhe të qindra kilogramëve kokainë nga Meksika, Kolumbia, Venezuela dhe Peruja.

Nëse shpallen fajtorë, tre krerët e dyshuar të rrjetit, Gjavit Thaqi, Arif Kurti dhe Gjevelin Berisha, përballen minimumi me një dënim të detyrueshëm prej 25 vitesh burg dhe një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

XS
SM
MD
LG