Lidhje

SHBA: Egjipti të heq kufizimet mbi shoqërinë civile


Presidenti egjiptian Abdel Fatah al-Sisi u takua dje në Kajro me Sekretarin e Shtetit John Kerry, për të diskutuar mbi konfliktin izraelito-palestinez dhe luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Por Sekretari Kerry thotë se administrata e Presidentit Obama vazhdon të ketë shqetësime në lidhje me kufizimet mbi shoqërinë civile egjiptiane dhe tranzicionin e këtij vendi në demokraci.

Ligji i Egjiptit për protestat u jep të drejtën autoriteteve të ndalojnë çdo tubim publik prej më shumë se 10 njerëzish. Kjo është një nga masat që ka bllokuar lirimin e plotë të ndihmës financiare të Shteteve të Bashkuara për qeverinë e re, e cila vazhdon të arrestojë gazetarë dhe shumë anëtarë të ish partisë qeverisëse, duke përfshirë presidentin e rrëzuar të Egjiptit.


Sekretari Kerry thotë se kufizime të tilla mbi shoqërinë civile vazhdojnë të jenë pjesë e bisedimeve të tij me zyrtarët në Kajro.

"Ministri i jashtëm dhe unë diskutuam edhe mbi rolin thelbësor të një shoqërie civile aktive, shtypit të lirë dhe të drejtën për një proces gjyqësor të drejt. Dhe nuk ka dyshim se shoqëria egjiptiane gjithmonë ka qenë më e fortë, dhe është më e fortë, kur të gjithë qytetarët e saj kanë një rol dhe pjesëmarrje aktive në suksesin e saj".

Ish gjenerali Abdel Fattah al-Sisi udhëhoqi grusht shtetin që përmbysi udhëheqësin e parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe më pas u zgjodh president. Ai tha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së muajin e kaluar se është i angazhuar për reforma.

"Qëllimi ynë është ndërtimi i një Egjipti të ri. Një shtet që përfaqëson të drejtat dhe liritë, respekton detyrimet e tij, dhe siguron bashkëjetesën e qytetarëve të tij, pa përjashtim apo diskriminim. Një shtet që respekton dhe zbaton sundimin e ligjit dhe garanton lirinë e shprehjes së mendimit".

Megjithatë, disa analistë thonë se Al-Sisi duhet të bëjë më shumë për të treguar se është serioz në lidhje me këto reforma. Akbar Ahmed është profesor në Universitetin Amerikan.

"Gjenerali Al-Sisi shumë shpejt duhet të tregojë se është një udhëheqës i matur dhe i ndjeshme në qoftë se ai dëshiron të fitojë kredibilitet në të ardhmen e afërt. Përndryshe ai vazhdimisht do të luftojë me reputacionin e një diktatori ushtarak i cili erdhi në pushtet pas pranverës Arabe në një kohë kur u duk se koha e diktatorëve ushtarakë kishte kaluar".
Shumë anëtarë të ish- partisë në pushtet, Vëllazëria Myslimane dhe kritikë të tjerë të administratës së Preisdentit Al-Sissi mbeten në burgje.

Avokati i të drejtave të njeriut dhe ish-kandidati presidencial Khaled Aly thotë se Presidenti al-Sisi është duke keqpërdorur ligjin.

"Për shembull, në disa raste pati njerëz që dolën në rrugë për të treguar mbështetje për Al-Sisin dhe disa të tjerë për ta kundërshtuar atë. Ata që e mbështetën Al-Sisin u mbrojtën nga policia dhe nuk mund të prekeshin, ndërsa ata që protestonin kundër tij u arrestuan".

Egjipti është një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez dhe luftës kundër militantëve të Shtetit Islamik. Por Sarah Margon e organizatës, Human Rights Watch, thotë se Uashingtoni nuk mund të lejojë që kjo t’i pengojë përpjekjet e tij për të nxitur liritë civile.

"Në fund të fundit, të drejtat e njeriut, liritë themelore si liria e shprehjes dhe tubimit janë pjesë përbërëse të sigurisë kombëtare. Dhe në qoftë se gjërat shikohen vetëm nga pikëpamja afatshkurtër atëherë ka shumë gjasa që kjo do të mjegullojë perspektivën afatgjatë për paqe".

Ndërkohë që Kajro përpiqet të ndërmjetësojë bisedimet për arritjen e një paqe më të qëndrueshme mes Hamasit dhe Izraelit, zyrtarët amerikanë thonë se udhëheqësit e Egjiptit duhet të plotësojnë nevojat e popullit të tyre.

XS
SM
MD
LG