Lidhje

Kerri për vizita në Evropë dhe Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, niset të djelën për një turne vizitash në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit si kryediplomati amerikan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Skot Stërns, na informon nga Departamenti i Shtetit se konflikti në Siri do të jetë në krye të axhendës së zotit Kerri.

Ndërsa lufta civile në Siri ka përfshirë periferitë e Damaskut, takimet e caktuara të sekretarit Kerri në Evropë dhe në Lindjen e Mesme përfshinë ato me kundërshtarët e Presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nuland, u shpreh:

"Ai po e karakterizon udhëtimin e tij më tepër si një turne dëgjimi, por unë mendoj se ai pret të dëgjojë nga koalicioni i opozitës siriane se çfarë mendon që ne duhet të bëjmë më tepër si dhe të dëgjojë mendimin e homologëve të tij që janë të angazhuar thellë në mbështetjen për opozitën”.

Partnerët tanë evropianë po zgjerojnë embargon e armëve, ndërsa po japin më shumë mbështetje për civilët. Sekretari i Jashtëm britanik, Uillim Hejg thotë:

"Kjo do të na japë mundësi tani për të dërguar më shumë pajisje për të ndihmuar në mbrojtjen e jetës së civilëve në Siri, si dhe do të na krijojë mundësinë pët të ofruar atë asistencë dhe këshilla që nuk mund ta jepnim në parë”.

Sekretari Kerri nuk është i huaj për Sirinë. Ai kujtoi gjatë seancave të konfirmimit se si Presidenti Asad i kërkoi dikur ndihmë pikërisht atij.

"Ai donte të gjente disa mënyra për të komunikuar me perëndimin dhe të eksploronte mundësinë e një farë kompromisi. Historia ndoqi rrugë tjetër. Ajo nuk ndodhi kurrë dhe tani është jashtë diskutimit, pasi ai mori disa vendime që janë të pajustifikueshme”.

Aleatja e vjetër e Asadit, Rusia po përpiqet tani për bisedime me opozitën. Sekretari Kerri ka në plan të takohet në Berlin me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili thotë se përparësia në Siri është dialogu.

Zoti Lavrov tha se gjendja është duke ndryshuar dhe është me rëndësi që gatishmërisë së opozitës siriane për dialog qeveria t’i përgjigjet me konfirmimin se edhe ajo është gati.

Analistja e Institutit Kato, Malou Innocent thotë se ndryshimi i dukshëm i qendrimit të Rusisë është lajm i keq për Presidentin Asad.

"Ata e kanë kuptuar se lëvizja kryengritëse mund të dalë fituese në fund të konfliktit. Mendoj se kjo është tepër e rëndësishme kur vjen nga rusët”.


Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Nuland, tha se sekretari Kerry është gati të bashkëpunojë me Lavrovin për të inkurajuar të gjithë siranët të fillojnë një tranzicion politik.

"Rusët kanë një farë indikimi. Edhe ne nga ana jonë kemi një farë ndikimi. Në fakt u përket sirianëve se kur duan ta bëjnë këtë, nëse mendojnë se oferta e Moskës ëshët e dobishme”.

Profesorja e Universitetit Xhons Hopkins, Ruth Wedgwood, thotë se ritmi i luftës civile i ka treguar Rusisë se Presidenti Asad nuk mund ta mbajë më Sirinë të bashkuar siç bëri i ati.

"Kjo është një balancë shumë delikate. Është një konglomerat nacionalitetesh dhe karta që luajtën Asadi dhe alavitët bënë që ata të dukeshin se ishin të ndershëm një herë, por tani të pandershëm, që mund ta ruanin balancën, por tani duket qartë që nuk ekzston më”.

Sekretari Kerri do të takohet me zyrtarët qeveritarë në Londër, Paris, Berlin, Rijad, Ankara, Kairo, Abu Dabi dhe Doha, si dhe me udhëheqësit e opozitës siriane në Romë.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë më parë se kishin në plan të pëfshinin Jeruzalemin dhe Ramallahun në itinerarin e vizitave të sekretarit Kerri, por i lanë jashtë për shkak të bisedimeve që po zhvillohen mes politikanëve izraelitë për formimin e qeverisë së koalicionit.
XS
SM
MD
LG