Lidhje

Vizita e Sekretarit Kerry në Turqi


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të vizitojë këtë fundjavë Turqinë, në kuadrin e një udhëtimi në rajon. Siria pritet të jetë ndër çështjet kryesore për t’u disktutuar, krahas me përpjekjet e vazhdueshme për riparimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Izraelit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli:

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, zoti Kerry do të përpiqet për rivendosjen e marrëdhënieve miqësore mes dy aleatëve të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara.

“Duke shkuar fillimisht në Stamboll dhe më pas në Izrael, Sekretari i Shtetit, po ashtu do të ketë rastin t’i nxisë të dyja palët të vazhdojnë të marrin hapa për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes tyre.”

Muajin e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i kërkoi falje Turqisë për vrasjen në vitin 2010 nga komandot izraelite të personelit prej 9 anëtarësh të një anijeje turke, që kërkonte heqjen e bllokadës ekonomike të Izraelit ndaj Gazës dhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan e pranoi këtë gjest të homologut të tij izraelit. Izraeli, po ashtu ka rënë dakord të paguajë kompensime ndaj familjeve të viktimave.

Nga ana e saj, Ankaraja ka rënë dakord të ndërmarrë hapa për zhbllokimin e marrëdhënieve diplomatike, proces për të cilin vëzhguesit thonë se sekretari Kerry do të përpiqet ta shtyjë përpara. Semih Idiz, gazetar për çështjet e jashtme në gazetën turke Taraf, paralajmëron se përpjekjet e afrimit mes të dy vendeve nuk do të jenë të lehta.

“Nuk do të ketë shumë dashuri në këtë marrëdhënie, sepse unë mendoj që nga pikëpamja e Izraelit, ata e shohin qeverinë aktuale turke si islamike dhe fondamentaliste dhe, në anën tjetër, nga pikëpamja e Turqisë, Erdoganit dhe Partisë AKP, partia në pushtet në Turqi, e shohin Izraelin si shtypës të palestinezëve dhe në përgjithësi, si anti-islamik. Pastaj është çështja e prakticitetit. Siria i detyron ata ta kalojnë këtë orientim ideologjik në plan të dytë, sepse situata e kërkon një gjë të tillë.”

Analisti Idiz thekson se qeveritë e Izraelit dhe Turqisë, vende të cilat bashkarisht ndajnë kufirin me Sirinë, kanë kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare në konfliktin sirian. Zoti Ozel, ligjërues në Universitetin Kadir Has të Stambollit, thekson se mbështetja e fortë nga Ankaraja për opozitën siriane, kundër presidentit Bashar al Assad, do të thotë se ekziston mundësia që Turqia dhe Izraeli të bashkëpunojnë ngushtë.

“Turqia e ka lënë të kuptohet qëndrimin e vet për çështjen siriane dhe ajo dëshiron që të jetë në frontin e parë edhe për t’u siguruar që regjimi i ri në Siri të mos jetë i dëmshëm për sigurinë e Izraelit, apo edhe të Turqisë. Unë mendoj se të dy vendet mund të bashkëpunojnë. Nuk di në se ata do të bashkëpunojnë lidhur me opracione ushtarake, varet se sa do të zgjasë kjo situatë.”

Siria pritet të jetë çështje kryesore në bisedimet e sekretarit Kerry me homologun e tij turk. Ankaraja mund të kërkojë armatosjen e opozitës siriane. Rigjallërimi i negociatave të ngrira mes palestinezëve dhe izraelitëve, po ashtu mund të diskutohet gjatë vizitës së zotit Kerry në Stamboll.

Analisti për diplomacinë Idiz thotë se zbutja e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Izraelit e bën të mundur që Ankaraja të luajë rol pozitiv në këto përpjekje.

“Tani që Turqia është angazhuar me të gjithë, ka mundësi që ajo të luajë një rol dhe besoj se Izraeli e do një gjë të tillë, sepse Turqia mund të shfrytëzojë ndikimin e vet tek Hamasi, për shembull.”

Qeveria turke ka lidhje të ngushta me udhëheqjen e Hamasit. Por eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ozel, paralajmëron se këto marrëdhënie të ngushta nënkupton se përpjekjet aktuale të afrimit mes Turqisë dhe Izraelit janë delikate në rastin e shpërthimit të dhunës mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Le të mos themi se këto marrëdhënie janë peng, po në çdo rast, ato do të varen nga ato që ndodhin në Bregun Perëndimor. Udhëheqësit turq nuk mund t’i kthejnë shpinën palestinezëve, në se, apo kur të shpërthejë intifada e tretë. Në se ajo do të ndodhë dhe izarelitët e shtypin atë me dhunë, do të jetë tepër e vështirë për qeverinë turke t’i ruajë marrëdhëniet me Izraelin.”

Por analisti Ozel thekson se ka edhe arsye ekonomike, të cilat mund t’i nxisin përpjekjet e afrimit mes Izraelit dhe Turqisë. Izraeli, sipas njoftimeve, e sheh Turqinë si rrugë për shpërndarjen e gazit natyror të zbuluar kohët e fundit, në tregun tërheqës evropian. Kjo i përshtatet mirë ofertës së Ankarasë për t’u bërë qendra e energjisë në rajon, diçka për të cilën vëzhguesit thonë se Sekretari Kerry do të përpiqet ta theksojë gjatë vizitës së tij në Stamboll.
XS
SM
MD
LG