Lidhje

Shtohet ndihma monetare ndërkombëtare për opozitën siriane


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry njoftoi se Uashingtoni do të dyfishojë ndihmën ndaj opozitës siriane, duke dhënë një shtesë prej 123 milionë dollarësh për të. Sekretari Kerry e bëri njoftimin sot në Stamboll në një takim me 10 ministra të jashtëm të vendeve të tjera që u angazhuan për të ndihmuar rebelët sirianë që të luftojnë forcat qeveritare siriane në vendin që ka dy vjet që është përfshirë nga lufta civile.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të dyfishojnë ndihmën për opozitën siriane për pajisje ushtarake jo vdekjeprurëse. Shtesa prej 123 milion dollarësh do t’a çojë ndihmën amerikane për opozitën siriane në shifrën e 250 milionë dollarëve. Sekretari i Shtetit Kerry njoftoi se ndihma do të jepet përmes grupit Ushtria e Lirë Siriane që ndodhet në Turiqi e që kryesohet nga gjenerali Salim Idris.

“Sot, ne mbështetësit e opozitës siriane u bashkuam të gjithë, dhe secili u zotua jo vetëm për një zgjidhje paqësore politike por bënë të qartë se e gjithë ndihmat do të kalojë përmes komandantit suprem të ushtrisë, gjeneralit Idris”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë qënë kundër idesë për të furnizuar rebelët me armë, pasi tremben se ato armë mund të përfundojnë në duart e islamistëve ekstremisët.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk e kanë specifikuar se për çfarë do të jepet fondi i ri i ndihmës, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti Barack Obama ka urdhëruar shpenzimin e këtyre fondeve për pajime të tilla ushtarake si veshje të blinduara ose dylbi për të parë gjatë natës. Udhëheqësit e rebelëve u përpoqën sot që të siguronin donatorët:

"Pa asnjë diskriminim të asnjë mënyre, ne kemi dëshirë që çdo shtetas në Siri të jetë i lirë dhe i aftë që të përcaktojë fatin e tij për të ardhmen e Sirisë. Ne duam drejtësi që të stabilizojmë Sirinë. Këta elementë politikë në Siri nuk kanë dëshirë që të hakmerren ndaj regjimit, ndaj ne nuk do të lejojmë asnjëherë vazhdimin e diskriminimit ose dhunës në territorin sirianë”.

Mbas bisedimeve të gjatë që përfunduan mëngjesin e sotëm, sekretari amerikan i shtetit John Kerry u bëri thirrje vendeve të tjera pjesmarrëse në takimin e Stambollit që të rrisin mbështetjen për opozitën, ndërsa arritën të grumbullonin një ndihmë ndërkombëtare prej 1 miliardë dollarësh për opozitën siriane.
XS
SM
MD
LG