Lidhje

Sekretari i Shtetit Kerry në Birmani


Sekretari i Shtetit John Kerry ka përgëzuar Birmaninë për tranzicionin në demokraci, por u ka bërë thirrje autoriteteve civile të qeverisë së re të punojnë për të zbatuar reforma të rëndësishme që sjellin zhvillim dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Zoti Kerry e zhvillon vizitën e tij vetëm pak ditë pasi Uashingtoni hoqi sanksione të ndryshme financiare dhe tregtare mbi Birmaninë. Sanksionet ishin vendosur për presion mbi qeverinë e mëparshme të këtij vendi gjatë juntës ushtarake. Megjithë ndryshimet në politikat amerikane, vazhdojnë të mbeten në fuqi sanksione dhe kufizime të ndryshme mbi individë dhe grupe të caktuara birmaneze.

Aung San Suu Kyi, ministrja e jashtme birmaneze dhe de facto udhëheqëse e vendit që kur partia e saj fitoi zgjedhjet historike në mars, tha se mirëpret një analizë të hollësishme mbi gjendjen e vendet lidhur me aktivitetet që ende janë nën sanksione.

Shefi i diplomacisë amerikane dhe zonja Aung San Suu Kyi diskutuan në takimin e tyre edhe kërkesën birmaneze që ambasada amerikane të mos përdorë termin “Rohingya" në referencë ndaj një grupi etnik në Birmani, të cilin autoritetet nuk e njohin si kategori etnike.

Ambasadori amerikan Scot Marciel tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta përdorin këtë term pasi Uashingtoni ndjek politikën e referencës ndaj komuniteteve të caktuara me emrin që duan të identifikohen këto grupe. Zonja Aung San Suu Kyi tha se i kishte kërkuar sekretarit të shtetit që Birmanisë t’i jepet hapësirë në trajtimin e kësaj çështjeje.

XS
SM
MD
LG