Lidhje

Kerry: Korrupsioni, armik i paqes globale


Korrupsioni është armik i paqes globale, shprehet Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry. Shefi i diplomacisë amerikane i bëri komentet sot në një takim të nivelit të lartë në Londër, të organizuar me nismë të kryeministrit britanik David Cameron për të diskutuar rrugët për të luftuar korrupsionin dhe evazionin fiskal:

Sekretari i Shtetit John Kerry tha se korrupsioni në botë nuk është thjesht një problem ekonomik, por edhe një kërcënim për paqen, ashtu si grupet ekstremiste.

“Është fakt se korrupsioni është po aq kërcënues, pasi shkatërron shtetet, ashtu si edhe ekstremistët me të cilët luftojmë, ose sfidat e tjera me të cilat ballafaqohemi. Ka njerëz që mund të thonë këto deklarata janë ekzagjerime. Por korrupsioni zhbën fibrat lidhëse të shoqërisë”.

Pikërisht zhgënjimi me punën e qeverive dhe udhëheqësve të korruptuar po ushqen radhët e grupeve ekstremiste, tha zoti Kerry:

“Ekstremizmi që shohim sot në botë, në një masë jo të vogël është pasqyrim i mungesës së shpresës që ndjejnë njerëzit nga sisteme të manipuluara. Ky revoltim dëshmohet gjatë zgjedhjeve në mbarë botën, përfshirë vendin tonë. Njerëzit janë të zemëruar dhe ky zemërim do të shtohet, nëse nuk i mbyllim portën korrupsionit për t’u treguar njerëzve se ka drejtësi në sistem”.

Zoti Kerry është ftuar nga Kryeministri britanik David Cameron për të bashkë-drejtuar takimin për format e luftës kundër korrupsionit. Në hapje të takimit sot në Londër, kryeministri Cameron u zotua sot të krijojë një regjistër publik që ofron transparencë për të gjithë ata që zotërojnë prona të patundshme në Londër, në përpjekje për të mos lejuar pastrim parash në tregun imobiliar të kryeqytetit britanik.

“Arsyeja përse i kushtojmë kaq rëndësi kësaj teme është sepse besoj që korrupsioni është kanceri në zemër të shumë problemeve që duhet të zgjidhim sot në botë”.

Zoti Cameron e veçoi luftën kundër korrupsionit, përfshirë edhe evazionin fiskal, si politika qendrore në axhendën që parashtroi gjatë takimit të G-8 në Londër në 2013.

Takimi zhvillohet pasi Dokumentet e Panamasë nxorën një numër emrash nga radhët e elitës politike dhe të biznesit në Britani ndër ata që shfrytëzonin parajsat fiskale për t’u shpëtuar taksave. Kryeministri britanik thotë se regjistri i ri synon të nxjerrë emrat e atyre që fshihen pas kompanive fantazmë dhe që kanë derdhur miliona dollarë para të pista në tregun e banesave në Londër.

Takimi u trondit që në fillim të tij nga komentet e zotit Cameron, të regjistruara nga kamera, kur ai nuk e kishte mendjen. Në to kryeministri britanik i përshkruan Nigerinë dhe Afganistanin, të dyja të pranishme në takim, si “nën korrupsion fantastik”. Më pas, zoti Cameron tha se megjithë problemet, udhëheqësit nga të dyja vendet po punojnë për ta luftuar këtë fenomen.

XS
SM
MD
LG