Lidhje

Turi diplomatik i sekretarit të shtetit John Kerry


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po i dërgon një mesazh të fuqishëm Iranit dhe Sirisë, duke u thënë qeverive të të dy vendeve se duhet të ndryshojnë qëndrim ose do të përballen me pasoja. Zoti Kerry foli sot gjatë një konference shtypi me sekretarin e Jashtëm britanik William Hague në Londër, ndalesa e tij e parë në udhëtimin e parë jashtë vendit si sekretar amerikan i shtetit.

Londra ishte ndalesa e parë e John Kerrit në udhëtimin e tij të parë diplomatik jashtë vendit në detyrën e Sekretarit të Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit u takua sot me kryeministrin britanik David Cameron dhe sekretarin e Jashtëm William Hague.

Zoti Kerry i kujtoi Iranit se Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë atë të ketë armë bërthamore dhe paralajmëroi se një zgjidhje diplomatike nuk do të jetë gjithmonë në dispozicion:

"Një Iran me armë bërthamore në atë rajon me të gjitha ato që kanë ndodhur, është thjesht diçka e papranueshme. Ne e kemi thënë se Irani nuk do të lejohet të ketë armë bërthamore. Presidenti Obama ka qënë shumë i qartë për këtë, ashtu siç po e bëjmë vazhdimisht të qartë se dritarja për një zgjidhje diplomatike thjesht nuk mund të mbetet e pahur prëherë, por është e hapur sot. Është e hapur tani përsa kohë Irani merr një vendi për t’u kthyer në tryezën e negociatave me vullnet të mirë”.

Zoti Kerry dënoi gjithashtu bombardimet e fundit në Aleppo nga qeveria siriane dhe tha se populli sirian meriton më shumë sesa dhuna e tmerrshme që kanë patur mbi supe nën regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

Në takimin me kryeministrin britanik David Cameron, u bisedua për një marrëveshje të ardhshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për tregëtinë e lirë, si dhe rëndësinë e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

Departamenti i Shtetit thotë se Siria është një çështje e rëndësishme në bisedimet e sekretarit Kerri në turmeun e tij të parë jashtë vendit. Ai ka në plan të takohet edhe me udhëheqës të koalicionit opozitar sirian.

Pas Londrës, ndalesa e dytë e zotit Kerry do të jetë Gjermania, ku ai pritet që të takohet përveç zyrtarëve gjermanë edhe me homologun e tij rus Sergei Lavrov. Uashingtoni e Moska kanë qëndrime të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit në Siri, dhe marrëdhëniet dypalëshe janë ftohur, kjo në lidhje me planin amerikan për të ndërtuar një sistem mbrojtës raketash në Europe.

Departamenti i Shtetit thotë se në Paris, Kerry do të bisedojë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Francën dhe vendet e tjera në përpjekje për të stabilizuar Malin, shtetin afrikan që është përfshirë nga një kryengritje islamike.

Në Lindjen e Mesme, sekretari Kerry do të takohet me zyrtarë të lartë arabë për të diskutuar sfidat rajonale dhe për të gjetur një mbështetje më të madhe për zgjidhjen e tyre.

XS
SM
MD
LG