Lidhje

Kerry: Më mirë pa marrëveshje se me marrëveshje të keqe me Iranin

  • Michael Bowman

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se negociatat ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit do të vazhdojnë, por Shtetet e Bashkuara nuk do të nguten për të arritur një marrëveshje. Zoti Kerry nuk u kushtoi rëndësi njoftimeve për mospajtime mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës në raundin e fundit të bisedimeve lidhur me kushtet që duhet të përmbushë Teherani për arritjen e një zgjidhjeje afat-gjatë.

Sekretari Kerry ishte i ftuar në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC, pas bisedimeve në Gjenevë që përfunduan pa një marrëveshje mes Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermanisë.

"Gjithmonë kemi thënë dhe Presidenti Obama e ka bërë plotësisht të qartë se nuk jemi me ngut. Duhet të arrijmë marrëveshjen e duhur. Më mirë pa marrëveshje se me marrëveshje të keqe. Po i përmbahemi këtij koncepti”.

Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin pista paqësore për të mos lejuar që Irani të shtjerë në dorë armë bërthamore, por shtoi se Presidenti Obama “nuk ka eliminuar asnjë opsion të mundshëm”. Ndërkaq, tha Sekretari i Shtetit, Shtetet e Bashkuara dhe Franca janë të një mendjejej se duhet treguar maturi:

"Do të thoja se një numër vendesh, jo vetëm francezët, por edhe ne dhe të tjerë, donim të garantoheshim se terma të forta dhe të qarta po përdoreshin, për të qenë të sigurtë se po bënim punën si duhet dhe se nuk po ofronim lëshime të tepruara dhe të përfundonim me gabime. Kemi të bëjmë me një çështje serioze”.

Më parë Franca u shpreh se ishte e shqetësuar se marrëveshja e propozuar nuk do të arrinte të ndalte aktivitetin e Iranit për pasurim të uraniumit. Ndërkaq, Izraeli ka paralajmëruar të mos nënshkruhet asnjë marrëveshje që do të lejonte vazhdimin e pacënuar të kapaciteteve iraniane për prodhimin e karburantit bërthamor. Zoti Kerry iu përgjigj shqetësimeve të ngritura nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu:

"Askush nuk ka ngritur idenë e eliminimit të sistemit aktual të sanksioneve. Presioni do të vazhdojë. Shpresojmë që nëse arrijmë synimet, do të vëmë në funksionim mjete për të garantuar në mënyrë absolute se ndërkohë që negociojmë për objektivat përfundimtare, programi i Iranit nuk do të vazhdojë dhe nuk do të ketë zgjerim të tij. Mendoj se Izraeli do të jetë shumë më i sigurtë nëse garantojmë se Irani nuk do të mund të vazhdojë programin bërthamor”.

Në Iran, Presidenti Hassan Rouhani tha se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga ato që i cilësoi si të drejtat e tij bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit në vend, pavarësisht nga marrëveshjet që arrihen me negociatorët ndërkombëtarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG