Lidhje

Kerry: Izraeli, palestinezët duhet të tregojnë vullnet të mirë

  • Scott Stearns

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se duhet vullnet i mirë dhe përpjekje serioze si nga izraelitët edhe nga palestinezët për të bërë të mundur arritjen e kompromiseve reale dhe marrjen e vendimeve të vështira që janë të nevojshme, për të arritur në zgjidhjen përfundimtare me dy shtete që do t’i jepte fund e krizës prej disa dekadash mes të dy palëve. Zoti Kerry u takua sot në Lindjen e mesme me kryeminsitrin izraleirt Benyamin Netanayahu dhe presidentin palestinez Mahmud Abaz.

Pas tre muajsh të një procesi negociatash që pritet të zgjasë nëntë muaj, Sekretari Kerry tha se ai ka besim se palët do të arrijnë përparim. Zyrtari i lartë premtoi angazhimin amerikan për arritjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

"Si në çdo negociatë do të ketë momente të mira dhe momente të këqija, por ajo që mund t’ju them është se presidenti Obama dhe unë jemi të vendosur t’i vazhdojmë përpjekjet drejt mundësisë së paqes, ne jemi të vendosur për të sjellë paqen afat-gjatë mes popujve në rajon”.


Por deri tani duket se pak përparim është arritur për një zgjidhje me dy shtete.

Izraeli ka liruar disa të burgosur palestinezë, por ka vazhduar të ndërtojë vendbanime të reja, për të cilat zyrtarët amerikanë thonë se nuk krijojnë një mjedis pozitiv për negociata.

Kryeministri izraelit Bnyamin Netaynahu i tha sekretarit Kerry se Izraeli dëshiron paqe, por palestinezët janë ata që nuk e bëjnë të mundur marrëveshjen.

"Jam i shqetësuar rreth përparimit pasi shoh se palestinezët po vazhdojnë të nxisin një krize artificiale, vazhdojnë të shmangen dhe të largohen nga vendimet historike që janë të nevojshme për një paqe të mirëfilltë."

Sekretari Kerry u takua më pas me presidentin palestinez Mahmud Abaz. Zoti Abaz nuk bëri komente pas takimit, por zyrtarë të tjerë palestinezë thanë se veç vend-banimeve hebraike negociatat kanë ngecur edhe për shkak të qëndrimeve izraelite për çështjen e të drejtave të ujit si dhe për shkak të mosmarrëveshjeve rreth tokës që duhet shkëmbyer për një zgjidhje me dy shtete.

Sekretari Kerry tha se zgjidhja me dy-shtete nuk ka të bëjë vetëm me përcaktimin e kufirit në hartë, se ku do të jetojnë dy popujt, por në se të dy palët do të jenë në gjendje të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për vete dhe për brezat e ardhshëm.

“Sfidat drejt së ardhmes janë më se të qarta për të gjithë. Ne i kemi parë zhgënjimet. E dimë se sa e vështirë është. Po ajo që është e qartë dhe që duhet të mbetet e qartë për të gjithë janë përfitimet që vijnë nga paqja. Kjo është një rrugë që ia vlen të ndërtohet për të ardhmen, për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijve të tyre, për brezat e ardhshëm”.


Pas bisedimeve në Izrael dhe Bregun Perendimor, zoti Kerry do të vizitojë Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjerinë dhe Marrokun.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG