Lidhje

Sek. Kerry, në mbrojtje të Izraelit në KDN


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, mbrojti Izraelin para Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Ai tha se ndaj Izraelit ekziston një qëndrim i pabalancuar në rezolutat e këtij këshilli.

Në fjalën e tij sot në Gjenevë, zoti Kerry theksoi rolin e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për të hedhur dritë ndaj abuzimeve, por shtroi pikpyetje se përse Izraeli është vënë vazhdimisht në qendër të rezolutave.

“Duhet thënë se fiksimi i Këshillit të Drejtave të Njeriut për Izraelin aktualisht rrezikon të minojë besueshmërinë e të gjithë organizatës. Kjo mund të çojë në kufizimin e gjërave pozitive që mund të bëjmë. Askush nuk duhet të ketë mëdyshje se Shtetet e Bashkuara munjd të mos i shqyrtojnë këto gjëra, në mënyrë të drejtë dhe pa pasion, por ne do të kundërshtojmë çdo përpjekje nga çdo grup apo pjestarë të OKB-së, që vepron në mënyrë arbitrare dhe rregullisht për të delegjitimizuar apo izoluar Izraelin.”

Zoti Kerry i tha këshillit se asnjë vend në botë nuk mund t’i shpëtojë syrit hetues, por asnjë vend nuk duhet t’u nënshtrohet paragjykimeve të padrejta dhe të pabaza.

Të dielën, zoti Kerry u përpoq të minimizonte ndonjë fërkim me Izraelin lidhur me atë që e quajti ftesë të çuditshme dhe të pazakontë nga udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, që kryeministri izraelit Netanyahu të mbante një fjalim në Kongres pa kordinimin e zakonshëm me Shtëpinë e Bardhë.

Pritet që udhëheqësi izraelit ta përdorë fjalimin të martën për të paralajmëruar përsëri kundër mundësisë për një marrëveshje bërthamore me Iranin. Zoti Netanyahu nuk është pajtuar me negociatat e Shteteve të Bashkuara dhe grupit të pesë fuqive të tjera botërore të zhvilluara me Iranin lidhur me programin bërthamor të atij vendi, duke thënë se një marrëveshje do ishte shumë e butë dhe do të lejonte Iranin të ndërtonte një bombë bërthamore që do të rrezikonte Izraelin.

XS
SM
MD
LG