Lidhje

Kerry shikon përparim në bisedimet izraelito-palestineze


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se izraelitët dhe palestinezët janë duke bërë përparim në bisedimet e paqes, edhe pse ka mundësi që të mos arrihet një marrëveshje.

Para largimit Jeruzalemi, zoti Kerry tha se të dyja palët kishin një ide më të mirë për kompromiset që duhen bërë për të siguruar marrëveshjen.

Ai tha se të gjitha çështjet e mëdha në konflikt - kufijtë, siguria, refugjatët palestinezë dhe Jeruzalemi – po i nënshtroheshin diskutimit.

Por diplomati i lartë amerikan shtoi se "periudha shumëvjeçare e mosbesimit" po e bën procesin "të vështirë dhe të komplikuar." Ai tha se është e pamundur të parashikohet se kur mund të arrihet zgjidhja apo nëse një zgjidhje do të arrihet.

Më vonë zoti Kerry kaloi një orë në Aman me Mbretin Abdullah të Jordanisë për të diskutuar mbi bisedimet e paqes, luftën civile Sirisë dhe dhunën në Irak. Ai shkoi pastaj në Rijad për bisedime me Mbretin Abdullah të Arabisë Saudite. Kjo është vizita e 10 e zotit Kerry në Lindjen e Mesme që nga muaji mars.

Duke komentuar mbi marrjen e dy qyteteve irakiane nga grupi ISIL, i idhur me al-Kaidën, ai tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin Irakun në luftën kundër militantëve të al-Kaidës. Por kryediplomati amerikan tha se SHBA nuk do të dërgojnë atje trupa, duke theksuar se kjo është luftë e Irakut.
XS
SM
MD
LG