Lidhje

Vizita e Sekretarit Kerry në Japoni


John Kerry tha se është “thellësisht i prekur” dhe i nderuar që është sekretari i parë amerikan i Shtetit që viziton Hiroshimën; një qytet i shkatërruar pas hedhjes së bombës atomike nga Shtetet e Bashkuara pranë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Sekretari Kerry komentoi në fund të një takimi dy-ditor me ministrat e jashtëm të Grupit të Shtatëshes që përfshiu një turne në memorialin kushtuar viktimave të Luftës së Dytë Botërore në Hiroshima.

Ai tha se memoriali shërben si një kujtesë për udhëheqësit botërorë:

"Ky muze është një kujtesë e detyrimeve të thella që mbart secili nga ne në jetën publike - në fakt, çdo njeri që mban përgjegjësi – për të punuar për paqe, për të vazhduar përpjekjet që Presidenti Obama dhe udhëheqës të tjerë erdhën dhe biseduan në Uashington në samitin për sigurinë bërthamore."

Pasi vizitoi Parkun e Memorialit të Paqes në Hiroshima, zoti Kerry e quajti atë "një demonstrim shokues” që prek sensibilitetin tonë si qenie njerëzore.

I pyetur nëse Presidenti Barack Obama do të vizitojë Hiroshimën kur të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve të G-7 në Japoni në maj, zoti Kerry tha se ai shpreson se një ditë presidenti amerikan do të jetë mes atyre që vizitojnë qytetin.

Ai shtoi se zoti Obama kishte shprehur interes për vizitën, por nuk e dinte nëse itinerari i presidentit do ta lejonte këtë gjatë udhëtimit në Japoni.

Një temë thelbësore gjatë seancave të G7 ishte mospërhapja dhe eliminimi i armëve bërthamore.

Ministri i jashtëm japonez Fumio Kishida u pyet rreth komenteve të fundit të bëra nga kandidati presidencial republikan Donald Trump, i cili tha se Japonia dhe Koreja e Jugut duhet të kenë armë bërthamore, në mënyrë që të ulet mbështetjen amerikane për mbrojtjen e tyre.

Ministri i jashtëm tha se është "krejtësisht e pakonceptueshme" qp Japonia të ketë armë të tilla. Më vonë, pa përmendur konkretisht zotin Trump, sekretari Kerry tha se sugjerime të tilla nga kandidatët për poste të larta janë "absurde" dhe "kundër çdo gjëje" që Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të arrijnë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG