Lidhje

Kerry mbi rolin e Pekinit për ndryshime në Phenian

  • Scott Stearns

Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, thotë se Kina është çelësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes bërthamore me Korenë e Veriut. Duke informuar ligjvënësit rreth bisedimeve që pati javën e kaluar në Pekin, Seul dhe Tokjo, Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri se zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjes bërthamore me Korenë e Veriut varet në një masë të madhe nga Kina.

“Mendoj se është shumë e qartë nga historia e 15 apo 20 vjetëve të fundit se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndikim të drejtpërdrejt tek Koreja e Veriut, përveç kërcënimit ushtarak. Kjo përbën rreziqe të mëdha me dikë që është aq i paprovuar, aq provokuese dhe që e ka provuar veten të jetë i pakujdeshëm në muajt e fundit. Kina ka marrëdhënie me të”.

Sekretari Kerri thotë se Shtetet e Bashkuara, Rusia, Koreja e Jugut dhe Japonia po punojnë me Kinën që të shfrytëzojë pozitën e saj si burim i rëndësishëm ushqimi, financash dhe karburanti në Korenë e Veriut për të sjellë ndryshime.

“Mendoj se është e saktë të thuhet se pa Kinën, Koreja e Veriut nuk mund të ekzistojë. Prandaj, mendoj se është e rëndësishme për ne të punojmë me Kinën. Mendoj gjithashtu se Kina ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me ne”.

Por sekretari Kerri tha se autoritetet kineze janë të shqetësuara rreth mungesës së stabilitetit në Koresë së Veriut, pasi ata e dinë se nga pikëpamja humanitare, ata duhet të merren me shumicën e problemeve.

“Prandaj shpresoj që diplomacia të funksionojë këtu. Dhe ky është çelësi i tyre, të bashkëpunojnë me kinezët për të ndryshuar ekuacionin që ka patur një ndikim negativ të një papërgjegjshmërie të plotë, të një dështimi të plotë dhe një nuklearizimi në rritje. Ne duhet të përpiqemi ta ndryshojmë atë”.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërcënuar vazhdimisht të sulmojë Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut me rastin e 101 vjetërit, këtë jave, të ditëlindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung.

Presidenti Barak Obama tha të martën se pret më shumë retorikë negative dhe provokime nga Koreja e Veriut. Ai tha në një prej kanaleve televizive amerikane se, ndërsa ai nuk beson që Koreja e Veriut ka kapacitetin të vendosë një armë bërthamore në një raketë balistike, Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për “çdo rast”.

Pheniani ka bërë kërcënime të reja ndaj Koresë së Jugut, duke kërkuar një apologji për protestat kundër Koresë së Veriut. Kjo e fundit ka refuzuar gjithashtu tendencat amerikane për bisedime, por zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se udhëheqësit e Koresë së Veriut shikojnë mënyra për të ulur retorikën.

Në dëshminë para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme, sekretari i Shtetit, Xhon Kerri, hodhi poshtë njoftimet e medias se kishte ofruar reduktimin e mbrojtjes amerikane nga raketat në Azi, në shkëmbim të ndihmës kineze për Korenë e Veriut. Në fakt, ai tha se Presidenti Obama e ka shtuar mbrojtjen në përgjigje të kërcënimeve të Koresë së Veriut, por është e arsyshme që kjo të pakësohet nëse gjendja qetësohet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG