Lidhje

Kerry: Referendumi në Krime përpjekje e paligjshme për aneksim


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se pranimi rus i referendumit në Krime për shkëputje nga Ukraina dhe për bashkim të mundshëm me Rusinë do të ishte një përpjekje e paligjshme për "aneksim".

Këshilli i Sigurimit i OKB-së sot do të votojë mbi një projekt-rezolutë e cila i bënë thirrje vendeve të botës të mos i njohin rezultatet e referendumit që do të mbahet nesër në Krime. Diplomatët thonë se ata presin që Rusia t’i vërë veton projekt-rezolutës. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u takuan për gjashtë orë dje në Londër, por nuk arritën një marrëveshje mbi të ardhmen e Ukrainës.

Sekretari Kerry tha se Shtetet e Bashkuara janë "thellësisht të shqetësuara" nga dislokimi i trupave ruse përgjatë kufirit ukrainas, përpara referendumit të nesërm për vetëvendosje në rajonin gjysmë-autonom të Krimesë.

Sekretari Kerry tha se Ministri Lavrov e bëri të qartë se presidenti rus Vladimir Putin nuk është i përgatitur të marrë ndonjë vendim në lidhje Ukrainën para referendumit të nesërm në Krime. Ministri i jashtëm rus përsëriti qëndrimin se Rusia do të respektojë zgjedhjen e banorëve Krimesë.

Në qoftë se votuesit atje zgjedhin bashkimin me Rusinë, presidenti Putin mund të lëvizë shpejt për të aneksuar gadishullin e Detit të Zi, duke bërë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të vendosin sanksione gjithnjë e më të ashpra ekonomike ndaj Moskës.

Sekretari Kerry u tha gazetarëve se do të ketë një përgjigje edhe më të madhe nëse Rusia intensifikon tensionet në Ukrainë.

"Do të ketë pasoja në se Rusia nuk do të gjejë një mënyrë për të ndryshuar veprimet e saj. Ne nuk themi së ky është një kërcënim. Ne themi këtë si pasojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjeve që Rusia mund ose nuk mund bëjë mbi këtë çështje".

Duket sikur Rusia tashmë e ka bërë zgjedhjen e saj për Krimenë. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit që është pjesë e delegacionit të Sekretarit Kerry që ka udhëtuar në Londër tha se Sekretari Kerry erdhi në Londër për të biseduar për një Ukrainë të unifikuar, ndërsa ministri Lavrov erdhi i autorizuar vetëm për të folur mbi një Ukrainë pa Krimenë.

Stërvitjet ushtarake të mijëra trupave ruse në afërsi të kufirit ukrainas që Moska thotë se do të vazhdojnë për dy javë kanë shtuar edhe më tej tensionet në këtë rajon.

"Ne gjithashtu mbetemi thellësisht të shqetësuar nga dislokimi i një numri të madh të forcave ruse në Krime dhe përgjatë kufirit lindor me Rusinë, si dhe provokimet e vazhdueshme dhe huliganizmin e disa të rinjve të cilët janë joshur të kalojnë kufirin dhe të hyjnë në lindje".

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se këto trupa nuk përbëjnë kërcënim.

Ai tha se Federata Ruse nuk ka dhe nuk mund të ketë plane për pushtimin e rajoneve juglindore të Ukrainës.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se zoti Lavrov e siguroi zotin Kerry se nuk do të ketë hyrje të trupave të reja ruse në Ukrainë. Ministri i jashtëm rus ka dhënë garanci të ngjashme përpara se trupat ruse të kalonin kufirin e Krimesë pas rrëzimit të qeverisë pro - ruse në Kiev.

Në këto bisedime, Sekretari Kerry paraqiti një numër propozimesh të udhëheqësve të rinj të Ukrainës në lidhje me sigurinë, mbrojtjen e pakicave, dhe autonomi më të madhe për Krimenë. Nuk kishte asnjë përparim mbi këto plane, duke bërë që një zyrtar amerikan të thoshte se "nuk ka bazë të përbashkët për të ecur përpara."
Zoti Lavrov ishte dakord me këtë vlerësim duke thënë se nuk ka "vizion të përbashkët" mbi Ukrainën, por ai tha se zoti Kerry nuk bëri ndonjë kërcënim.

Në lidhje me idenë për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, zoti Lavrov tha se varet nga vendet përëndimore që ta kuptojnë se sanksionet do të ishin kundërproduktive. Ai tha se është e qartë se nga sanksionet nuk do të përfitojnë interesat e përbashkëta të biznesit të Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë.

Pjesa më e madhe e gazit natyror të Evropës eksportohet nga Rusia nëpërmjet tubacioneve në Ukrainë.
XS
SM
MD
LG