Lidhje

Kerry: Rusia të fillojë zbatimin e marrëveshjes mbi Ukrainën


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i ka kërkuar Rusisë të marrë "hapa konkrete" për të zbatuar marrëveshjen që ka për qëllim uljen e tensioneve në Ukrainë.

Sekretari Kerry dje i ka thënë me telefon ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov se hapat që Rusia duhet të ndërmarrë përfshijnë "një thirrje publike për separatistët që të lirojnë ndërtesat dhe postblloqet që ata i kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme, të pranojnë amnistinë, dhe të trajtojnë pakënaqësitë e tyre politike". Këto hapa kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje të arritur më 17 prill mes diplomatëve të lartë nga Ukraina, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për uljen e tensioneve në Ukrainën lindore.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki citoi Sekretarin Kerry gjatë një konference me gazetarët në Uashington.

Më parë të hënën, Nënpresidenti amerikan Joe Biden arriti në Kiev për bisedime me Presidentin e Ukrainës në detyrë, Oleksandr Turchynov dhe me kryeministrin e përkohshëm Arseniy Yatsenyuk. Vizita e tij vjen ndërkohë që situata në Ukrainë lindore mbetet e tensionuar, pavarësisht nga arritja e një marrëveshjeje që ka për qëllim lehtësimin e krizës.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se zoti Biden do të diskutojë rreth përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar Ukrainën të ecë përpara me reformën kushtetuese dhe për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta të 25 majit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG