Lidhje

Kerry–Lavrov fillojnë bisedimet për Sirinë


Kerry: Procesi i dorëzimit të armëve kimike i shpejtë, i verifikueshëm dhe me pasosja në se nuk kryhet

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov filluan bisedimet në Gjenevë për eliminimin e arsenalit të armëve kimike të Sirisë.

Duke folur në hapje të takimit, sekretari Kerry tha se ai shpreson që diplomacia do të arrijë të shmangë një sulm të mundshëm amerikan ndaj Sirisë. Qeveria e Sirisë akuzohet se ka përdorur armë kimike muajin e kaluar në afërsi të Damaskut. Sekretari Kerry tha se procesi i dorëzimit të armëve kimike duhet të jetë i kontrollueshëm:

“Duhet të jetë i vërtetë, duhet të jetë i gjithanshëm, duhet të jetë i verifikueshëm, duhet të jetë i besueshëm, duhet të jetë i shpejtë dhe të zbatohet me shpejtësi. Dhe së fundmi, duhet të ketë pasoja në se nuk kryhet”.

“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri”, tha Sekretari Kerry, duke përsëritur akuzat e Uashingtonit se sulmi me armë kimike ishte organizuar nga qeveria siriane. Shpresat për bisedimet janë të larta, tha zoti Kerry, duke shtuar se, “kjo nuk është një lojë”.

Zoti Kerry tha se është ende shumë shpejt për të thënë në se diplomacia do të ketë sukses, por shtoi se Shtetet e Bashkuara po hyjnë në këtë nismë me shumë seriozitet.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se ai beson se Shtetet e Bashkuara do të arrijnë në një konsensus me Rusinë.

Po ashtu ai iu referua artikullit të botuar të enjten nga Presidenti Putin në gazetën “The New York Times”, në të cilën zoti Putin paralajmëron Shtetet e Bashkuara kundër sulmeve ajrore ndaj qeverisë së zotit Assad.

Sekretari Kerry kundërshtoi një koment të shprehur nga Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad se Siria mund të presë një muaj për të dorëzuar informacionin rreth armëve të veta kimike, pasi të anëtarësohet në traktatin e OKB-së që ndalon përdorimin e armëve kimike.

Zoti Assad e shprehu këtë ide gjatë një interivste për një stacion televiziv rus, duke thënë se një periudhë një-mujore është normale. Sekretari Kerry tha se “nuk ka asgjë normale” rreth gjendjes së tanishme.

Një zëdhënës i OKB-së tha se organizata botërore ka marrë një letër nga Siria të enjten për të filluar procesin e çarmatimit duke depozituar dokumentet për t’u anëtarësuar në traktatin ndërkombëtar.

Presidenti Barak Obama tha se ai shpreson që takimi Kerry-Lavrov do të përfundojë me rezultate konkrete.

Zyrtarët amerikanë thonë se sigurimi dhe shkatërrimi i armëve të Sirisë është i mundur por është i vështirë dhe i komplikuar.

XS
SM
MD
LG