Lidhje

Kerry-Lavrov, sugjerime për uljen e tensioneve


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u takuan në Paris mbrëmë vonë për të diskutuar mbi krizën në Ukrainë ndërsa Uashingtoni dhe Moska përpiqen për një zgjidhje diplomatike të ngërçit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns njofton nga kryeqyteti francez:

Megjithë pikëpamjet e ndryshme për ngjarjet që çuan në këtë krizë, zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë dakort për rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje diplomatike dhe të dy bënë sugjerime për uljen e tensioneve.

"Ramë dakort gjithashtu të punojmë me qeverinë ukrainase për të zbatuar hapat që po ndërmarrin për të siguruar këto përparësi: të drejtat e pakicave, të drejtën e gjuhës, çmobilizimin dhe çarmatimin e forcave destabilizuese dhe provokative, përfshirjen në procesin e reformave konstitucionale dhe zgjedhje të lira e të drejta të monitoruara nga komuniteti ndërkombëtar."

Përparimi në dukje drejt lehtësimit të ngërçit, më seriozi që nga koha e Luftës së Ftohtë, vjen ndërsa Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Rusisë të tërheqë trupat ndërsa Kremlini kërkon që komuniteti ndërkombëtar “të ndihmojë në stabilizimin e situatës”. Tani për tani, tha zoti Lavrov, Moska nuk do të shkojë përtej Krimesë.

"Ne nuk kemi ndërmend apo interes të kalojmë kufijtë e Ukrainës. Ne duam që puna të jetë shumëpalëshe për të ndalur trazirat që Perëndimi po përpiqet t'i mbulojë," tha zoti Lavrov.

Moska thotë se qeveria e re në Kiev kërcënon rusisht-folësit në Ukrainë dhe e ka përdorur këtë për të justifikuar veprimet e saj në Krime.

"Ne do të mbrojmë të drejtat e rusëve dhe rusisht-folësve në Ukrainë duke përdorur të gjitha rrugët politike , diplomatike dhe ligjore që kemi në dispozicion," tha zoti Lavrov.

Profesori i Universitetit Amerikan Keith Darden thotë se Uashingtoni duhet të njohë atë që ai e quan "reagim jolegjitim të Rusisë për disa shqetësime shumë legjitime."

"Sigurisht nuk kemi të bëjmë me ardhjen në fuqi të fashistëve në Kiev. Por është gjithashtu e sigurtë se në Kiev nuk ka një qeveri përfaqësuese të aspiratave të gjera të popullësisë ukrainase."

Zoti Lavrov po i bën thirrje Kievit t’u japë autoriteteve lokale më shumë pushtet. Darden thotë se decentralizimi mund të lehtësojë shumë shqetësime të Rusisë.

"Nuk duhet të ketë shumë rëndësi se kush e kontrollon Kievin. Do të ishte shumë stabilizuese për rajonet rusisht-folëse në jug dhe lindje nëse ndjeheshin se mund të zgjedhin përfaqësues lokalë që kanë në fakt pushtet për të mbrojtur të drejtat e tyre”, thotë zoti Darden.

Ndërkohë që ukrainasit kujtojnë të vrarët gjatë demonstratave të muajit të kaluar, ka filluar fushata për zgjedhjet e majit. Kandidati për President Petro Poroshenko po bën thirrje për të sjellë para drejtësisë ata që ishin përgjegjës për dhunën.

Kandidatja rivale Yulia Tymoshenko kërkon kthimin e Krimesë.

"Krimea është ukrainase. Ne do ta kthejmë atë përsëri dhe do ta çlirojmë nga pushtuesit," thotë Tymoshanko.

Pas bisedimeve me zotin Lavrov, zoti Kerry kërkon të mbajë trysninë mbi Rusinë në takimin e ministrave të jashtëm të Natos këtë javë, ndërkohë që presidenti Obama po i bën thirrje aleancës transatlantike të stacionojë më shumë trupa në vende që ”mund të ndjehen të kërcënuara”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG