Lidhje

Lindja e Mesme, Kerry: Është bërë përparim


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry përfundoi udhëtimin e tij të pestë në Lindjen e Mesme pa një marrëveshje mbi rinisjen e bisedimeve të paqes në rajon. Por ai tha se është bërë përparim i konsiderueshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns, njofton.

Sekretari Kerry kaloi një ditë më tepër në rajon, duke udhëtuar mes Jeruzalemit, Amanit dhe Ramallahut për tre takime të ndryshme me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe tre me presidentin palestinez Mahmoud Abbas. Ai u tha gazetarëve në Tel Aviv se ata janë pranë një marrëveshjeje mbi rifillimin e bisedimeve të paqes, por nuk e kanë arritur ende.

"Kam kënaqësinë të them se kemi bërë vërtetë përparim gjatë këtij udhëtimi. Dhe besoj se me pak më shumë punë, fillimi i negociatave për statusin përfundimtar mund të jetë i arritshëm. Filluam me ndryshime të thella mes qëndrimeve të palëve, ndërsa tani i kemi ngushtuar këto ndryshime në mënyrë të konsiderueshme."

Por ai nuk dha afat kohor për rifillimin e bisedimeve, të cilat kanë qenë të bllokuara që nga viti 2010.

"Nuk do të bllokojmë veten me afate artificiale. Ky do të ishte një gabim i madh. Siç sapo thashë, këtu unë po lë njerëz të cilët do të vazhdojnë të punojnë me këtë çështje dhe ata më kanë kërkuar që të kthehem sërish së shpejti."

Kryenegociatori palestinez Saed Erekat thotë se Izraeli duhet ende të përmbushë të gjitha detyrimet e tij për rifillimin e bisedimeve.

"Askush nuk do të përfitonte më shumë se palestinezët nga suksesi i Sekretarit Kerry dhe askush nuk do të humbiste më shumë nga një dështim i tij sesa palestinezët. Ne duam të rifillojmë bisedimet dhe nuk jemi duke vendosur parakushte kur themi se Izraeli duhet të pranojë dy shtete mbi ndarjet e vitit 1967, kur themi se Izraeli duhet të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve, apo kur themi se Izraeli duhet të lirojë të burgosurit. Këto nuk janë kushte të palestinezëve, këto janë detyrime të izraelitëve."

Kryeministri Netanyahu thotë se Izraeli nuk po ngre asnjë pengesë për rifillimin e bisedimeve.

"Izraeli është i përgatitur për të hyrë në negociata pa shtyrje të mëtejshme dhe pa parakushte. Ne do të insistojnë fuqimisht mbi disa çështje gjatë bisedimeve, kryesisht mbi çështjen e sigurisë. Nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje që do të rrezikonte sigurinë e qytetarëve të Izraelit."

Nëse nuk do t’i duhej të udhëtonte për në Brunei, Sekretari Kerry tha se do të kishte qëndruar në Lindjen e Mesme për të vazhduar punën për bisedimet e paqes. Në Brunei, ku ndodhet për një takim të Organizatës së Kombeve të Azisë Juglindore, zoti Kerry do të zhvillojë bisedime dypalëshe me ministrin e Jashtëm kinez Yi Wang, mbi çështjet e Koresë së Veriut dhe Detit të Kinës Jugore si dhe me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov mbi Sirinë dhe mbi të ardhmen e ish-analistit të shërbimit amerikan të zbulimit, Eduard Snowden, i cili po qëndron në një zonë tranzit në Rusi, pas publikimit të detajeve mbi një program mbikëqyrjeje të SHBA-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG