Lidhje

Sekretari Kerry zgjat misionin në Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u takua për herë të dytë brënda dy ditësh me Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, në përpjekje për të rifilluar bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Këtë javë Sekretari Kerry ka udhëtuar mes Jordanisë dhe Izraelit. Pasi shkoi sot në Aman të Jordanisë për t’u takuar me presidentin palestinez Abbas, zoti Kerry ka në plan të shkojë (shkoi) përsëri në Jeruzalem për bisedime të tjera me zyrtarët izraelitë.

Sekretari i Shtetit Kerry zgjati sot misionin e tij të paqes në Lindjen e Mesme, me vajtje-ardhje mes Jeruzalemit dhe Amanit për më shumë bisedime me zyrtarët palestinezë dhe ata izraelitë lidhur me rifillimin e bisedimeve dy-palëshe. Dhe si rezultat atij iu desh të anullonte një vizitë të planifikuar në Abu Dabi.

“Me që takimet e Sekretarit Kerry mbi procesin e paqes vazhdojnë në Jeruzalem dhe Aman, ne nuk do të jemi në gjendje të shkojmë në Abu Dabi. Zoti Kerry i kërkoi falje zyrtarëve të Emirateve të Bashkuara Arabe për ndryshimin e planeve të tij”, tha zv. zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf.

Një zyrtar izraelit që mori pjesë në bisedime tha se vizita e zotit Kerry mund të pasohet me një njoftim se delegatët izraelitë dhe palestinezë do të takoheshin me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Jordanisë. “Ekziston një mundësi e tillë, por nuk është e sigurtë”, tha zyrtari izraelit, ndërkohë që pala amerikane nuk pranoi të komentonte.

Bisedimet e drejtpërdrejta izraelito-palestineze u ndërprenë nga fundi i vitit 2010.
Negociatori palestinez Saeb Erekat priti sot zotin Kerry në banesën e presidentit Abbas në Aman para se në takim të shkonte edhe vetë presidenti palestinez. Dy zyrtarët e lartë Abbas dhe Kerry ishin takuar para më pak se 24 orësh.

Negociatori Erekat e pyeti Sekretarin Kerry rreth takimeve të djeshme me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe Presidentin Shimon Peres. “Ishin takime pozitive dhe interesante”, u përgjigj zoti Kerry.

Nuk është e qartë nëse Sekretari Kerry do të jetë në gjendje të njoftojë rifillimin e bisedimeve para se të largohet nesër nga Lindja e Mesme drejt Azisë, por një zyrtar amerikan e ka krahasuar misionin e tij diplomatik me përpjekjet e paqes në Lindjene Mesme të Henry Kissingerit në vitet 1970-të. Vetë zoti Kerry, në vizitën e pestë në rajon për të rigjallëruar bisedimet e paqes, ka thënë se nuk do të ishte kthyer kaq shpejt nëse nuk besonte për se mund të bënte përparim. Megjithë përpjekjet e fundit për rifillimin e bisedimeve izraelito-palestineze, zoti Kerry përballet me pengesa të mëdha.

Grupi Hamas, i cili qeveris Rripin e Gazës, i bëri thirrje dje Presidentit palestinez Mahmoud Abbas që të mos pranojë negociata, madje udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniya e paralajmëroi zotin Abbas "që të mos bjerë përsëri në kurthin e bisedimeve”.
XS
SM
MD
LG