Lidhje

Përpjekje për paqe në Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po bën një tjetër udhëtim në Lindjen e Mesme, me shpresën për t’i dhënë shtysë bisedimeve të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Zyrtarët thonë se ai do t’u paraqesë dy palëve një model paraprak ose një kuadër të përgjithshëm mbi të cilin mund të bazohej një marrëveshje përfundimtare.

Ndërsa në Lindjen e Mesme nis viti i ri, mes banorëve palestinezë të qytetit Hebron në Bregun Perëndimor vazhdojnë dyshimet se bisedime të fundit mund të sjellin ndonjë ndryshim.

"Historia përsëritet. Dyzetë vitet e fundit kanë qenë njëlloj. Amerikanët vijnë këtu vetëm për të mbrojtur interesat e tyre dhe të Izraelit, jo ato palestineze," thotë një palestinez nga Hebroni.

Por ka edhe zemërim pasi persona të dyshuar si ekstremistë izraelitë, të martën dogjën disa makina në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar gjithashtu Sekretarin Kerry me shkrime mbi mure se do të ketë gjakderdhje.

Zoti Kerry do të takohet me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu në Jeruzalem dhe me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Ramallah, për t’u propozuar një plan për negociatat lidhur me çështjet thelbësore për të cilat palët nuk bien dakord.

Por në fillim të kësaj jave, Departamenti amerikan i Shtetit uli pritshmëritë. Zëvendës zëdhënësja Marie Harf:

"Ne shpresojmë të bëjmë përparim në pakësimin e mosmarrëveshjeve gjatë këtij udhëtimi, por nuk duam të shprehim parashikime nëse ne do të arrihet një marrëveshje për këtë plan paraprak gjatë këtyre pak ditëve."

Udhëtimi i zotit Kerry vjen pas lirimit nga Izraeli të 26 të burgosurve palestinezë, pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të rifilluar bisedimet. Presidenti palestinez mirëpriti personalisht disa prej këtyre të burgosurve.

"Ne nuk do të nënshkruajmë marrëveshje përfundimtare paqeje me Izraelin para se të gjithë të burgosurit të jenë liruar."

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu indinjatë ndaj respektimit të atyre që ai i quan vrasës.

"Paqja nuk mund të ekzistojë nëse nuk ndalet nxitja e trazirave. Ajo do të jetë e mundur vetëm kur të rreshtë përhapja e idesë për zhdukjen e Izraelit dhe nxitja e terrorit."

Duke shtuar tensionet, disa thonë se Izraeli do të njoftojë ndërtime të reja në Bregun Perëndimor - diçka që e ka bërë shpesh pas një lirimit të të burgosurve – edhe pse mediat izraelitë thonë se këtë herë njoftimi mund të shtyhet deri pas vizitës së Sekretarit Kerry.
XS
SM
MD
LG