Lidhje

Sekretari i Shtetit Kerry në Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ndodhet këtë javë në Lindjen e Mesme për bisedime që synojnë të nxisin mbajtjen e një konference ndërkombëtare paqeje mbi Sirinë.

Në këtë luftë për kontrollin e Sirisë, Irani është një prej mbështetësve më të mëdhenj të Presidentit Bashar al-Assad, prandaj Rusia thotë se Irani duhet të jetë pjesë e procesit të paqes.

“Irani ka theksuar vazhdimisht solidaritetin e tij me qeverinë siriane. Zyrtarët iranianë vizitojnë regullisht Damaskun. Asnjë lloj subjektivizmi gjeopolitik nuk duhet të jetë pengesë që Irani të marrë pjesë në këtë konferencë”.

Administrata e presidentit Obama ka kundërshtuar në të kaluarën kërkesën e Rusisë për pjesëmarrjen e Iranit, por thotë se asnjë palë nuk është përfshirë apo përjashtuar nga këto bisedime. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki thotë se Uashingtoni e kupton pozitën e Moskës lidhur me Teheranin.

“Ne kemi dëgjuar komentet e rusëve dhe kjo nuk është diçka e papritur. Ata e kanë shprehur qëndrimin e tyre publikisht në të kaluarën. Dhe ne do të bashkëpunojmë me të gjitha palët për çështjen e pjesëmarrjes”.

Shqetësimet e Shteteve të Bashkuara lidhur me pjesëmarrjen e Iranit kanë të bëjnë me mundësinë që kjo të largojë vemendjen nga përpjekjet për të kufizuar programin bërthamor iranian si dhe me mbështetjen e Teheranit për grupin Hezbollah në Liban, për të cilin luftëtarët sirianë të opozitës thonë se po ndihmon forcat e presidentit al-Assad afër kufirit me Libanin.

“Perceptimi i Shteteve të Bashkuara është se Irani ka prirjen të luajë rolin e sabotuesit në këto lloj nismash, prandaj ato po përpiqen të përfshijnë në bisedime ato palë, që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mendojnë se kanë interes të drejtpërdrejtë për një zgjidhje të konfliktit në Siri”.

Ministri i jashtëm sirian, Walid al-Moualem thotë se Irani po ndihmon në mbrojtjen e vendit të tij.

“Kjo është një luftë e brendshme, por është edhe një luftë rajonale dhe ndërkombëtare kundër popullit sirian. Ne jemi gati të vetëmbrohemi dhe nuk do të qëndrojmë në heshtje para këtij agresioni”.

Ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi thotë se vetëm një zgjidhje politike mund të parandalojë një konflikt më të gjerë rajonal.

“Falë Zotit, situata në Siri po shkon mirë. Ushtria e guximshme e Sirisë ka rimarrë nën kontroll pjesën më të madhe të territorit të vendit dhe Siria do të rifitojë fuqinë e vet të plotë në të ardhmen e afërt”.

Zoti Heydemann beson se luftimet në Siri nuk do të marrin fund pa një farë roli të Iranit.

“Kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të përpiqen të gjejnë mënyra për ta zbutur Iranin përsa i përket zgjidhjes së konfliktit në Siri, por Uashingtoni duhet të gjejë një farë mënyre për ta siguruar Iranin se paanshmëria e tij të paktën do të vlerësohet kur të fillojë procesi i bisedimeve”.

Grupi më i madh i opozitës siriane nuk ka deklaruar nëse do të marrë pjesë në bisedimet e paqes, pjesërisht për vetë faktin se nuk dihet ende nëse aty do të marrin pjesë aleatë të presidentit al-Assad, si Irani.

XS
SM
MD
LG