Lidhje

Izraeli liron 26 të burgosur palestinezë


Izraeli liroi 26 të burgosur tjerë palestinezë të cilët janë burgosur për kryerje të sulmeve vdekjeprurëse ndaj civilëve izraelitë.

Lirimi i tyre që ndodhi dje është pjesë e marrëveshjes së Izraelit për të ringjallur bisedimet e ngecura të paqes me palestinezët.

Disa të burgosur palestinezë kanë kaluar 28 vjet pas hekurave.

Lirimi i të burgosurve palestinezë ka zemëruar shumë izraelitë, duke përfshirë disa anëtarë të kabinetit të kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ata i konsiderojnë terroristë ish të burgosurit palestinezë.

Dje ishte raundi i tretë nga katër raunde të lirimit të të burgosurve. Në bazë të marrëveshjes në total pritet të lirohen 104 palestinezë të burgosur.

Kjo ndodhi pak kohë pasi Departamenti i Shtetit njoftoi se Sekretari i Shtetit John Kerry do të propozojë një kornizë për negociatat për statusin final midis Izraelit dhe palestinezëve, gjatë udhëtimit që ai do t’i bëjë Lindjes së Mesme këtë javë.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf të hënën tha se korniza synon të shërbejë si një udhëzues për trajtimin e të gjitha çështjeve thelbësore midis të dyja palëve. Ajo tha se sekretari Kerry do të diskutojë propozimin me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin palstinez Mahmoud Abbas.
Zëdhënësja Harf nuk dha hollësi të tjera të planit.

Izraeli dhe palestinezët rifilluan bisedimet e paqes në korrik pas një ndërprerje tre-vjeçare.

Gjatë bisedimeve fillestare, Izraeli ra dakord për lirimin e të burgosurve. Palestinezët kanë rënë dakord të heqin dorë nga kërkesa e tyre për ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve izraelite para zhvillimit të bisedimeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG