Lidhje

Sekretari Kerry në Moskë për Sirinë dhe Ukrainën


Duke shfaqur shpresën se do të jenë në gjendje të gjejnë një “gjuhë të përbashkët", sekretari amerikan i shtetit John Kerry, u ul të martën për bisedime me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Të dy zyrtarët thanë se kriza në Siri, grupi Shteti islamik dhe gjendja në Ukrainë do të jetë pikat kryesore të diskutimeve gjatë takimit të tyre në Moskë, që shënon udhëtimin e dytë të zotit Kerry në Rusi gjatë këtij viti.

“Ndonëse kemi pasur dallime ndërmjet nesh”, tha sekretari Kerry, “kemi qenë në gjendje të punojmë në mënyrë të frytshme në çështje të caktuara”. Ai tha se Rusia ka ofruar një ndihmesë të konsiderueshme në bisedimet për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Duke folur nëpërmjet përkthyesit, Lavrov tha se dëshiron të vazhdoje dialogun e nisur nga presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Barack Obama, për mënyrën se si mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara në zgjidhjen e situatës në Ukrainë.

Zoti Kerry shkoi në Rusi pas bisedimeve në Paris me kolegët e tij evropian ku u diskutuan përpjekjet e fundit për të luftuar grupin Shteti Islamik në Siri.

Ai pritet të shfrytëzojë vizitën për të vënë kuadrin e takimit të ardhshëm të Grupit Ndërkombëtarë për mbështetjen e Sirisë, që pritet të mblidhet të premten në New York, tha një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Zyrtari tha se sekretari Kerry do të diskutoje po ashtu përpjekjet për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Minskut, që përfshinë armëpushimin në Ukrainën Lindore dhe tërheqjen e armatimit të rëndë nga të dyja palët, qeveria e Ukrainës dhe separatistët e mbështetur nga Rusia.

XS
SM
MD
LG