Lidhje

Sekretari Kerry do të shkojë në Moskë


APTOPIX Russia US Kerry

APTOPIX Russia US Kerry

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, planifikon të vizitojë Moskën javën e ardhshme për të diskutuar mbi tërheqjen e trupave ruse nga Siria dhe arritjen e paqes në vendin e shkatërruar nga lufta. Zoti Kerry tha se do të bisedojë me Presidentin Putin dhe Ministrin e Jashtëm Lavrov për hapat që mund të ndërmerren për arritjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit pesë vjeçar.

“Pra, ky është një moment që nuk duhet humbur. Kemi mundësinë për të lëvizur drejt dhënies fund të luftës dhe gjakderdhjes.”

Luftimet në Siri kanë rënë ndjeshëm pas armëpushimit të tre javëve më parë.

Por, zoti Kerry paralajmëroi se paqja e qëndrueshme nuk do të jetë e mundur nëse Presidenti sirian Bashar al-Assad vazhdon të qëndrojë në pushtet.

Njësitë e para ushtarake ruse që u larguan nga Siria, u pritën dje në Rusi me brohoritje. Zoti Putin njoftoi papritur të hënën se pjesa më e madhe e trupave ruse do të largohen nga Siria, pasi kanë përmbushur misionin e filluar në muajin shtator.

Në bisedimet e paqes në Gjenevë të udhëhequra nga OKB-ja, opozita siriane përshëndeti tërheqjen si një mundësi drejt dhënies fund të konfliktit dhe “diktaturës e krimeve të Assadit”.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, e quajti njoftimin e zotit Putin “një zhvillim të rëndësishëm” dhe tha se shpreson të sjellë një tranzicion politik paqësor.

Megjithë fillimin e tërheqjes, Rusia planifikon të mbajë rreth 1 mijë ushtarakë në bazat ajrore dhe detare në Siri. Sipas vlerësimit të SHBA-së, Moska ka patur 3 deri në 6 mijë trupa ushtarake në Siri.

XS
SM
MD
LG