Lidhje

Kerry shpreh besim për marrëveshje përfundimtare bërthamore


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry that të mërkurën se ka besim tek arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin, pasi Presidenti Barack Obama premtoi të nënshkruante një ligj që do ta bënte marrëveshjen objekt të rishikimit nga Kongresi.

Zoti Kerry foli para një takimi të Ministrave të Jashtëm të Grupit të Shtatëshes në Gjermani që pritej të përfshinte diskutimin e negociatave që sollën si rezultat një marrëveshje paraprake në fillim të muajit.

"Kemi besim tek aftësia e presidentit për të negociuar një marrëveshje që do ta bënte botën më të sigurt”, tha zoti Kerry.

Presidenti Obama tha dje se do të nënshkruante një ligj në Kongres që do të bënte të mundur shqyrtimin e marrëveshjes përfundimtare bërthamore nga Kongresi me një votim të mundshëm për ta miratuar ose hedhur poshtë atë.

Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë e miratoi këtë masë dje, pas një kompromisi dypartiak që parashikon një periudhe 30 ditore shqyrtimi dhe verifikimin nga ana e Presidentit cdo 90 ditë se Irani po e respekton marrëveshjen për reduktimin e aktivitetit bërthamor. Sanksionet e hequra nga Kongresi do të rivendoseshin menjëherë në rast shkeljeje.

Ligji do të shqyrtohet tani nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

XS
SM
MD
LG