Lidhje

Kerry: Qeveria e Sirisë ka përdorur armët kimike

  • Scott Stearns

Sekretari Kerry tha se Presidenti Obama beson se personat që përdorën këto "armë të neveritshme" duhet të vihen para përgjegjësisë.

Shtetet e Bashkuara kanë shtyrë një takim me zyrtarët ruse i cili pritej të zhvillohej të ejten për të diskutuar situatën në Siri ndërkohë që Uashingtoni po shqyrton opsionet për të reaguar ndaj dyshimeve për përdorimin e armëve kimike nga forcat Siriane javën e kaluar. Një zyrtar i lartë i Departamenit të Shtetit tha se shtyrja e takimit u bë për shkak të konsultimeve të vazhdueshme në lidhje me përgjigjen ndaj njoftimeve për përdorimin e armëve kimike në Siri.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se qeveria e Sirisë po përpiqet të shkatërrojë dëshmitë përdorimit të armëve kimike kundër civilëve në afërsi të Damaskut javën e kaluar. Sekretari Kerry ka thënë se ata që janë përgjegjës për vdekjen e më shumë se 300 njerëzve "duhet të vihen para përgjegjësisë".

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se ajo që ka ndodhur në Siri "duhet të trondit ndërgjegjen e botës."

"Vrasjet pa dallim të civilëve, vrasja e grave, fëmijëve dhe kalimtarëve të pafajshëm me armë kimike është një çmenduri morale. Në bazë të çfardo standarti kjo është e pafalshme. Pavarësisht nga justifikimet e bëra, përdorimi i armëve kimike është i pamohueshëm".

Qeveria e Sirisë mohon përfshirjen në sulmin me armë kimike që thuhet se ka ndodhur javën e kaluar. Ministria e jashtme e Rusisë thotë se sulmi mund të jetë kryer nga kundërshtarët e presidentit Bashar al-Asad për të provokuar veprime ndërkombëtar kundër tij.

Sekretari Kerry hodhi poshtë këtë ide, duke thënë se qeveria e Sirisë i ka nën përkujdesje armët kimike të vendit, ajo ka kapacitet për t’i përdorur ato në raketa, dhe është e vendosur t’i eliminojë kundërshtarët e saj nga zonat e sulmuara. Ai u tha gazetarëve në Departamentin e Shtetit se vlerësimi i administratës së presidentit Obama mbi atë që ka ndodhur "është i bazuar në fakte."

Të hënën, inspektorët e OKB-së vizituan vendin ku ka ndodhur sulmi në periferi të Damaskut. Ata u takuan me viktimat dhe mjekët në një spital të improvizuar. Inspektorët e OKB-së gjithashtu morën mostra nga zona dhe thanë se do të rikthehen në këtë zonë sot. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon tha se misioni i inspektorëve mund të shmang përdorimin e armëve kimike në të ardhmen në Siri.

"E gjithë bota duhet të jetë e shqetësuar në lidhje me kërcënimet për përdorimin e armëve kimike ose përdorimin e tyre, dhe kjo është arsyeja pse bota është duke ndjekur nga afër situatën në Siri".

Sekretari Kerry tha se vendimi i Sirisë për të lejuar këto inspektime është "shumë i vonshëm", duke e akuzuar Sirinë se po përpiqet të shkatërrojë provat duke e bombarduar përsëri të njejtën zonë.

Sekretari Kerry tha se Presidenti Obama është në kontakt të ngushtë me aleatët, diskutime të cilat rrisin mundësinë e veprimit ushtarak. Ai tha se presidenti Obama "do të marrë një vendim mbi mënyrën se do t’i përgjigjet këtij përdorimi të armëve kimike." Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar asnjë opsion përveç dërgimit të trupave amerikane në Siri.

"Presidenti Obama beson se duhet të vihen para përgjegjësisë ata që do përdorin armët më të tmerrshme në botë kundër njerëzve më të pambrojutr të botës. Sot asgjë nuk është më serioze dhe asgjë nuk kërkon një shqyrtim më serioz se ky veprim."

Sekretari Kerry po i vazhdon kontaktet diplomatike me aleatët në Britani, Francë dhe Kanada, si dhe diskutimet me Rusinë dhe disa nga fqinjët e Sirisë në Lindjen e Mesme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG