Lidhje

SHBA, Kina: Zotime për bashkëpunim kundrejt problemit koreano-verior


Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shprehur dëshirën të bashkëpunojnë për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga ambicjet e saj bërthamore. Por nuk është e qartë si synojnë ta arrijnë këtë. Koreja e Veriut ishte dje në krye të rendit të ditës gjatë takimit të shefit të diplomacisë amerikane me zyrtarët kinezë në Pekin.

Sekretari i Shtetit John Kerry tha se si Pekini, ashtu edhe Uashingtoni mbështesin synimin për një gadishull korean pa armë bërthamore:

“Kina dhe Shtetet e Bashkuara shprehën përsëri angazhimin e tyre për të gjetur një zgjidhje paqësore. I themi Kim Jung Unit dhe qeverisë koreano-veriore se kanë një opsion të qartë në këtë rast, të bashkohen me ne për një zgjidhje me negociata. Pavarësisht nga veprimet e tyre, ne do të vazhdojmë përpjekjet për këtë zgjidhje”.

Zoti Kerry ka kërkuar nga zyrtarët kinezë të përdorin ndikimin e tyre si aleati më i madh i Koresë së Veriut për ta nxitur të heqë dorë nga provokacionet. Megjithatë, Kina nuk dha sinjale dje se do të shkallëzonte presionin ndaj fqinjit të saj.

Në komentet për gazetarët, zyrtari Yang Jiechi ritheksoi qëndrimin që Kina ka mbajtur prej kohësh se zgjidhja nuk kërkon masa më të forta, si sanksionet:

“Kina do të punojë me palët e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara për të luajtur një rol konstruktiv në nxitjen e bisedimeve gjashtë palëshe”.

Bisedimet, ku përfshihet Kina, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Rusia, Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut, janë pezulluar që nga viti 2008.

Zoti Kerry nuk diskutoi se çfarë veprimesh pritet të marrë Kina, por tha se në diskutimet në Pekin, u analizuar të gjitha alternativat. Sekretari i Shtetit tha se si Pekini ashtu edhe Uashingtoni janë të angazhuar të marrin masa për të arritur synimin për një gadishull korean pa armë bërthamore.

“Duam që të përqendrohemi në alternativën më të mirë. Nuk duam t’i hyjmë rrugës së shkëmbimit të kërcënimeve”.

Zoti Kerry tha se Shefi i Shtatmadhorisë, Gjenerali Martin Dempsey dhe përfaqësues të agjencive amerikane të zbulimit do të shkojnë në Pekin së shpejti për të bërë të qartë se këto nuk janë thjesht fjalë, por politika që do të vihen në zbatim.

Vizita e zotit Kerry në Pekin ishte një ndër ndalesat gjatë turneut të tij katër ditësh në Azi, në një kohë tensionesh lidhur me kërcënimet e Koresë së Veriut për sulm bërthamor.

Gjatë vizitës, zoti Kerry diskutoi edhe sulmet kibernetike dhe ndryshimet klimatike me zyrtarët kinezë. Kina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të krijojnë grupe pune mbi këto dy probleme gjatë bisedimeve vjetore dy-palëshe që zhvillohen në korrik në Uashington.
XS
SM
MD
LG