Lidhje

Sekretari Kerry javën e ardhshme në Rusi

  • Scott Stearns

Sekretari i Shtetit John Kerry shkon javën e ardhshme në Rusi për bisedime me homologun e tij Sergei Lavrov si dhe një takim të pritshëm me Presidentin Vladimir Putin. Secretari Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Lavrov janë takuar disa herë më parë gjatë muajve të fundit, por ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit të Shtetit Kerry në Rusi:

"Vizita ishte e nevojshme prej kohësh. Mirëpres diskutimet për këtë gamë temash që nga Siria e deri tek Irani dhe takimi i ardhshëm i G8”.

Lidhur me Sirinë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë pasur mospajtime lidhur me mënyrën e reagimit ndaj luftës atje. Rusia dhe Kina kanë përdorur vazhdimisht të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar marrjen e masave më të ashpra nga Kombet e Bashkuara kundër Presidentit sirian Bashar al-Asad.

Rusia furnizon me armë ushtrinë e Presidentit Asad. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera mbështesin opozitën siriane, megjithëse Uashingtoni thotë se nuk ka ofruar furnizime me armë.

Zëdhënësi në detyrë në Departamentin e Shtetit Patrick Ventrell.

"Ua kemi bërë të qartë rusëve ku qëndrojnë mospajtimet tona dhe dallimet e opinionit dhe këtu përfshihen mbështetja dhe furnizimet me armë që i kanë ofruar regjimit sirian. E kemi bërë të qartë se ka sfida si armët kimike ku opinionet dhe interesat tona përputhen”.

Zoti Ventrell thotë se Sekretari Kerry do të theksojë gjatë takimeve në Moskë nevojën për një zgjidhje politike:

"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i përmbahen bindjes se tranzicioni politik është mënyra më e mirë për të ndalur dhunën dhe për të arritur këtë në mënyrën më të shpejtë për të parandaluar gjakderdhjen e mëtejshme dhe për të ruajtur disa nga institucionet siriane, në mënyrë që të mos ketë shpërbërje të mëtejshme institucionesh që ofrojnë shërbime bazë për popullin sirian”.

Në përgjigje të pyetjes se çfarë temash të tjera janë në rendin e ditës për zotin Kerry, zëdhënësi Ventrell tha se të drejtat e njeriut gjithmonë ngrihen për diskutim në takimet me zyrtarët rusë.

Mund të diskutohet gjithashtu pezullimi i birësimeve të fëmijëve rusë nga prindër amerikanë dhe hetimet që vazhdojnë lidhur me çeçenët që dyshohen për lidhje me shpërthimet në Maratonën e Bostonit muajin e kaluar. Një nga të dyshuarit ishte për vizitë në Republikën e Dagestanit vjet për të marrë një pasapartë të re ruse.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG