Lidhje

Kerry: Suksesi i marrëveshjes për Sirinë jo i garantuar


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha sot në një seancë me pyetje-përgjigje në Kongres se nuk është i sigurtë se marrëveshja SHBA-Rusi për armëpushim në Siri që pritet të hyjë në vihet në zbatim të shtunën, do të funksionojë dhe nëse do të çojë drejt një zgjidhjeje paqësore të situatës në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

Por kryediplomati amerikan tha se marrëveshja e arritur nga Presidenti Barak Obama dhe Presidenti rus Vladimir Putin është mënyra më e mirë për të ndalur konfliktin pesë vjeçar që ka lënë deri në 470 mijë të vdekur, sipas disa përllogaritjeve. Plani parashikon ndalimin e luftimeve, përveçse në rastin e sulmeve kundër ISIS dhe Frontit al-Nusra.

“Nëse lëvizin autokolonat me ndihma, nëse ndalen të shtënat e armëve me përjashtim të operacioneve kundër ISIS dhe al-Nusras, nëse arrihet kjo duke filluar nga e shtuna, do të shpëtohen jetë; ky është synimi,” tha zoti Kerry në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Por ai shtoi: “Kjo nuk do të thotë se procesi politik do të shënojë automatikisht rezultate pozitive”.

Disa anëtarë të Senatit kanë shprehur skepticizëm se Rusia nuk do t’i përmbahet marrëveshjes. Senatorja Barbara Boxer nga Kalifornia ngriti shqetësimin se marrëveshja mund të shoqërohet me shkelje të shpeshta të armëpushimit.

Zoti Kerry pohoi se mund të ketë skenare të tilla por shtoi: “Kushdo që mendon se mund ta shkelë marrëveshjen pa e pësuar, gabohet rëndë. Po bëhen diskutime për një plan të dytë nëse nuk arrihet sukses përmes negociatave”.

Zoti Kerry tha se në dy javët e fundit 114 kamionë me ndihma humanitare janë dërguar në pika të ndryshme të Sirisë, që kanë qenë të izoluara nga luftimet mes forcave qeveritare dhe kryengritësve.

“Të paktën 80 mijë vetë që nuk kishin marrë furnizime prej vitesh, tani kanë furnizime së paku për një muaj. Kemi dërguar ushqime dhe ilaçe në vende që kanë qenë të rrethuara prej muajsh,” tha shefi i diplomacisë amerikane John Kerry.

XS
SM
MD
LG