Lidhje

20 vjet pas masakrës së Srebrenicës


Bosnia: 20 Years After Srebrenica
Bosnia: 20 Years After Srebrenica

Të shtunën, më 11 korrik, Bosnja shënon 20-vjetorin e vrasjeve më masive në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, masakrës së Srebrenicës. Në një periudhë 11- ditore në korrik të vitit 1995, u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë. Ndërsa është ende e gjallë dhimbja për familjet e viktimave, disa ekspertë thonë se ngjarjet e 20 viteve më parë duhet t’i motivojnë vendet e botës të punojnë më shumë për të parandaluar konfliktet në të ardhmen:

Për gratë që humbën burrat dhe djemtë 20 vjet më parë gjatë masakrës së Srebrenicës, plagët janë ende të pashëruara.

Gjatë ceremonive që do të mbahen të shtunën me rastin e përvjetorit, do të varrosen edhe eshtrat e identifikuara kohët e fundit të 136 viktimave. Një grua humbi burrin dhe të dy djemtë gjatë masakrës.

"Ne jemi dënuar pa gjyq. Fëmijët tanë i dënuan me vdekje dhe i dëbuan kur, ne, të mbijetuarit na dënuan të jetojmë Ferrin.”

Mijëra vetë u vranë kur trupat nën komandën e gjeneralit serb Ratko Mladic pushtuan një enklavë të Kombeve të Bashkuara që mbrohej nga trupat holandeze.

Ambasadori amerikan Stephen Rapp thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë hapa më të mëdha, duke ndërhyrë për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve etnike në Bosnje dhe gjetkë. Ai foli në një diskutim të organizuar nga Zëri i Amerikës në Uashington.

"Unë mendoj se duhet të punojmë për një integrim më të madh të rajonit, si brenda tij, edhe në Europë, duke i njohur interesat e përbashkëta të popullit të Bosnjes për një të ardhme më të begatë, ku njerëzit të jetojnë së bashku, cilado qoftë përkatësia e tyre etnike, apo fetare.”

Një pasojë afatgjatë e luftës në Bosnje është ekonomia me probleme e vendit, tha në diskutim Tanya Domi, profesoreshë në Universitetin Columbia.

"Shifra zyrtare e papunësisë është 40 për qind, madje në mesin e të rinjve është rreth 60 për qind, sipas Bankës Botërore. Kjo është një shifër e lartë dhe njerëzit janë duke u larguar. Po shohim një largim të trurit nga Bosnja dhe në fakt, vendit po i ikën e ardhmja.”

Gjenerali Ratko Mladic dhe ish-presidenti serb i Bosnjes Radovan Karadzic ndodhen në Hagë, ku po përballen me akuzat për krime lufte, ashtu sikurse edhe presidenti serb Slobodan Milosevic.

Milosevic vdiq në burg në vitin 2006. Tre persona të tjerë, mes tyre dy zyrtarë të lartë serbë të Bosnjes, janë dënuar nën akuzat për genocid.

Ambasadori Rapp tha se edhe pse drejtësia po merr kohë për krimet e Srebrenicës, ajo një ditë do të vihet në vend.

"Do të vijë dita kur personat që venë në objektiv të pafajshmit, të cilët përpiqen të shkatërrojnë grupe të tëra njerëzish, cilido qoftë motivi i tyre, një ditë do të përballen me drejtësinë. Unë mendoj se nga masakra e Srebrenicës bota ka nxjerrë mësime të fuqishme, të cilat të gjithë ne duhet t’i zbatojmë çdo ditë.”

Edhe përballë këtyre mësimeve, ka nga ata, të cilët vazhdojnë t’i mohojnë krimet.

Të mërkurën Rusia i vuri veton një projektrezolute të Kombeve të Bashkuara, e cila e dënon masakrën si genocid, megjithëse atë e kanë cilësuar të tillë dy gjykata ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG