Lidhje

Fillon detyrën Sekretari i Shtetit John Kerry


Sekretari i ri amerikan i Shtetit, John Kerry, filloi sot detyrën i pritur me brohoritje nga punonjësit e Departamentit të Shtetit. Në përshëndetjen e tij, ai vlerësoi ish Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton.

Sekretari i ri i Shtetit, John Kerry, tha se e pret një punë e madhe pasi po zëvendëson në këtë post një figurë të kalibrit të zonjës Hillary Clinton. Zoti Kerri e bëri betimin të premten, duke zëvendësuar zonjën Klinton, kryediplomatja amerikane gjatë mandatit të parë të Presidentit Barack Obama.



Zoti Kerry, ish senator dhe ish kandidat për zgjedhjet presidenciale të 2004-s, u prit sot me brohoritje nga punonjësit e Departamentit të Shtetit.

Një prej tyre mbante një parrullë ku lexohej "Mirëseerdhe John Kennedy".

Zoti Kerry pason në këtë post dy gra, Hillary Rodham Clinton dhe Condoleezza Rice. Në përshëndetjen e tij për punonjësit ai pyeti me shaka: "A mundet që një burrë të drejtojë Departamentin e Shtetit?"

John Kerry është bir i një diplomati dhe ka qenë kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Senatit për katër vjet. Ai foli mes të tjerash për periudhën e tij të rinisë në Gjermani dhe se si i kishte mësuar ato që ai i quajti virtyte të lirisë.

Zoti Kerry tha se ai dhe President Barack Obama kanë nevojë për ndihmë për të bërë Amerikën më të sigurt dhe botën më të begatë e më paqësore.

Ndërkohë, Sekretari i ri i Shtetit, bëri telefonatat e para për udhëheqësit e huaj si kryediplomat i Shteteve të Bashkuara.

Departamenti i Shtetit tha se zoti Kerri i telefonoi të shtunën Kryeministrit Benjamin Netaniahu dhe udhëheqësit palestinez Mahmud Abaz. Ai u tha dy udhëheqësve se është personalisht i angazhuar për paqen në Lindjen e Mesme.

Sekretari Kerri i telefonoi gjithashtu Kryeministrit të Japonisë, Fumio Kishida, dhe ministrit të Jashtëm të Koresë së Jugut, Kim Sung Huan.
XS
SM
MD
LG