Lidhje

Marrëveshje SHBA-Rusi për një rezolutë mbi Sirinë


Sekertari i Shtetit John Kerry thotë se SHBA dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje lidhur me një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, e cila synon të identifikojë autorët e sulmeve me armë kimike në Siri.

Zoti Kerry e njoftoi këtë sot, gjatë vizitës së tij në Kuala Lumpur të Malajzisë, pak pasi u takua me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në kuadrin e takimit rajonal të vendeve të Azisë Juglindore.

Rezoluta, e cila mund të hidhet në votë këtë javë, kërkon krijimin e një ekipi për të hetuar mbi personat përgjegjës për një seri sulmesh me armë kimike gjatë luftës së Siri.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike po përpiqet të ndërmarrë një mision faktmbledhës për sulmet, por as ky gryp dhe as OKB-ja nuk e kanë aktualisht mandatin për të përcaktuar autorët e sulmit.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ndihmoi në heqjen dhe çmontimin e arsenalit të armëve kimike të deklaruara nga Siria pas një marrëveshjeje historike të vitit 2013 mes Uashingtonit dhe presidentit sirian Bashar al-Assad.

Por sulmet vazhduan dhe ka shqetësime se Damasku po përdor agjentë toksikë, si gazin klorin, të cilët nuk ishin përfshirë në marrëveshje dhe nuk konsiderohen teknikisht si armë kimike.

Presidenti Assad ka mohuar me forcë përdorimin e armëve kimike, dhe ka fajësuar për këtë forcat rebelë që luftojnë për përmbysjen e qeverisë.

Rusia, një aleate e rëndësishme e zotit Assad, i kanë vënë veton disa rezolutave të tjera të Këshillit të Sigurimit, që kanë qenë kritike ndaj Damaskut.

XS
SM
MD
LG