Lidhje

Kerry: Assadi të dorëzojë arsenalin kimik


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se nëse presidenti Bashar al-Assad dëshiron të shmangë një sulm kundër Sirisë në përgjigje të përdorimit të dyshuar të armëve kimike nga qeveria e tij, ai duhet të dorëzojë tërë arsenalin e tij deri në fund të javës.

Zoti Kerry përsëriti sot në Londër akuzat se sulmi ishte ndërmarrë nga presidenti sirian. Ai shtoi ndërkohë se Shtetet e Bashkuara e pranojnë se konflikti sirian kërkon një "zgjidhje politike".

Zoti Kerry i bëri komentet gjatë një konference për shtyp me homologun e tij britanik, William Hague.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se presidenti Bashar al-Assad duhet të dorëzojë tërë arsenalin e tij deri në fund të javës, nëse dëshiron të shmangë një sulm kundër Sirisë.

Diplomati i lartë amerikan tha sot në Londër në një konferencë të përbashkët me homologun e tij britanik, se ai nuk beson që zoti Assad do ta bëjë këtë dhe madje e vuri në pikëpyetje nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur në kushtet kur në Siri zhvillohet një luftë civile.

Sekretari Kerry tha megjithatë se administrata e Presidentit Obama është e bindur se armët kimike në Siri kontrollohen nga "një rrjet shumë i ngushtë" me presidentin Assad në qendër të tij.

Ai tha Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se konflikti në Siri nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake, por një zgjidhje politike nuk do të ishte e mundur në qoftë se regjimi i Presidentit Bashar Assad lejohet të vazhdojë të vrasë popullin sirian pa patur ndonjë pasojë:

"Më lejoni ta them qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti Obama, unë vetë dhe të tjerë, jemi plotësisht dakord se dhënia fund e konfliktit në Siri kërkon një zgjidhje politike. Ne nuk kemi iluzione për këtë. Por zgjidhja vjen kur palët janë të gatshme për të negociuar një zgjidhje politike. Nëse njëra palë mendon se mund të vrasë pa u ndëshkuar qytetarët e saj me armë kimike, ajo palë nuk mund të vijë kurrë në tryezën e bisedimeve."

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi sot se Moska do ta nxisë aleaten e saj Sirinë që t'i vërë armët e veta kimike nën kontrollin ndërkombëtar dhe pastaj t'i asgjësojë ato për të shmangur një goditje ushtarake amerikane.

Britania dhe Siria e përshëndetën propozimin rus.

Ndërkohë, në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan CBS të regjistruar në Damask, Presidenti sirian Assad mohoi se kishte dhënë urdhër për sulmin me gaz sarin më 21 gusht në periferi të kryeqytetit sirian, ku Uashingtoni thotë se u vranë më shumë se 1.400 njerëz. Ai paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara "duhet të presin më të keqen" në përgjigje të një sulmi të mundshëm ushtarak.

"Nëse godisni diku, duhet të prisni pasoja diku tjetër, në forma dhe mënyra të ndryshme që nuk mund t'i parashikoni," tha zoti Assad.

Ai tha në intervistë se, në qoftë se "kryengritësit apo terroristët në rajon" kanë armë kimike, ata mund t'i përdorin ato pas çdo ndërhyrjeje amerikane.

Ndërkohë, ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Sirisë thanë sot se kanë në plan të kërkojnë kthimin e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara në Siri, për të vazhduar hetimet rreth përdorimit të armëve kimike.

Ministri rus, Sergei Lavrov hodhi poshtë idenë e një ndërhyrjeje ushtarake nga jashtë në Siri, duke thënë se zgjidhja paqësore është e vetmja alternativë për krizën siriane. Ai tha se një sulm amerikan kundër Sirisë do të ishte një goditje fatale ndaj përpjekjeve të paqes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG