Lidhje

Kerry, thirrje për të shpëtuar armëpushimin në Siri


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha të mërkurën se aeroplanët luftarakë duhet të ndalin fluturimet mbi “zonat kyçe” të Sirisë, nëse kërkohet të shpëtohet armëpushimi. Ai tha se nëse propozimi i tij zbatohet, ai duhet të përfshijë të gjitha mjetet ajrore në zonat e specifikuara të Sirisë, përfshi aeroplanët e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre në koalicion.

Sekretari Kerri bëri një thirrje emocionale gjatë një takimi të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se kufizimi i fluturimeve, sidomos aty ku punojnë agjencitë humanitare për dërgimin e ushqimeve dhe ilaçeve, është vendimtar për kufizimin e gjakderdhjes në Siri.

“Qëllimi ynë në këto negociata ishte për dhënien fund të sulmeve të tmerrshme dhe padallim që kanë qënë shkaku kryesor i frikës, i vuajtjeve dhe i zhvendosjeve. Sipas planit tonë, e gjithë kjo mund të shoqërohet me negociata serioze mes palëve që synojnë një tranzicion politik dhe përfundimin e konfliktit.”

Zoti Kerry tha se propozimi i tij do të zbatohej për të gjitha mjetet ajrore në zonat e specifikuara të Sirisë, përfshi aeroplanët e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre në koalicion. Ai tha se synimi është parandalimi i aeroplanëve ushtarakë sirianë që të sulmojnë popullsinë civile nën preteksin e terrorizmit.

Armëpushimi që hyri në fuqi më 12 shtator, pas shumë muaj negociatash mes Washingtonit dhe Moskës, duket se është prishur pas sulmit ajror të së hënës ndaj një kolone me ndihma humanitare, ku u vranë 20 njerëz.

Moska dhe Damasku pretendojnë se një sulm ajror nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të shtunën e kaluar, pranë aeroportit Deir al-Zor, la të vrarë dhjetëra ushtarë sirianë.

Zoti Kerry tha se të gjitha palët në konflikt përballen me “momentin e së vërtetës.” Ai tha se ata që besojnë se kriza në Siri nuk mund të rëndohet më tej, gabojnë dhe ndonëse plani aktual për armëpushimin nuk është i përsosur, nuk ka patur ndonjë alternativë tjetër realiste.

XS
SM
MD
LG