Lidhje

Opsionet e Pres. Obama për Sirinë

  • Dan Robinson

Zoti Obama thotë se SHBA nuk po shqyrtojnë dërgimin e trupave tokësore në përgjigje të sulmeve kimike të 21 gushtit në Damask

Presidenti Barak Obama thotë se po vazhdon të analizojë opsionet për operacione “të kufizuara” ushtarake në përgjigje të sulmeve kimike të 21 gushtit në Damask. Presidenti Obama i bëri komentet pasi Sekretari i Shtetit John Kerry foli për rezultatet e një raporti nga shërbimet e zbulimit ku ai thotë se konfirmohet përgjegjësia e qeverisë siriane për sulmin.

Presidenti Obama i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para një takimi me Presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Zoti Obama ishte takuar më parë me këshilltarët e tij për sigurinë kombëtare për të analizuar opsione ushtarake në përgjigje të sulmit me armë kimike në kryeqytetin sirian. Presidenti iu referuar raportit të fundit nga shërbimet e zbulimit, ku ai tha se jepen hollësi “me bindje të lartë” se qeveria e Presidentit al-Assad ka kryer sulmin.

"Ky lloj sulmi përbën sfidë ndaj botës. Ne nuk mund të pranojmë një botë ku gra e fëmijë, civilë të pafajshëm vriten me gaz kimik në një shkallë të tmerrshme. Ky lloj sulmi kërcënon interesat tona të sigurisë kombëtare, duke shkelur normat ndërkombëtare kundër përdorimit të armëve kimike”.

Zoti Obama foli për kufizimet mbi çdo veprim që ai mund të vendosë të merret:

"Në asnjë rrethanë nuk po diskutojmë ndonjë operacion ushtarak që do të kërkonte dislokimin e trupave në terren, apo ndonjë fushatë afat-gjatë, por po analizojmë mundësinë e një sulmi të kufizuar me objektiv të ngushtë, që do të ndihmonte për të garantuar se jo vetëm Siria por edhe të tjerë në mbarë botën do të kuptojnë se komuniteti ndërkombëtar është i përkushtuar seriozisht për të ruajtur normën e ndalimit të armëve kimike”.

Më parë, Sekretari i Shtetit John Kerry akuzoi Presidentin sirian Bashar al-Assad për “një krim kundër ndërgjegjes dhe njerëzimit”, duke thënë se informatat e shërbimeve të zbulimit tregojnë se qeveria siriane ishin në dieni të sulmit që po përgatitej:

"E dimë se për tri ditë para sulmit, personeli i qeverisë siriane për armët kimike ishte në këtë zonë duke bërë përgatitjet. E dimë se elementë të regjimit sirian ishin informuar të përgatiteshin për sulmin duke vënë maska kundragazi dhe duke marrë masa që lidhen me armët kimike”.

Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara e dinë se raketa me mbushje kimike ishin hedhur nga territori nën kontrollin e regjimit në drejtim të lagjeve që kontrollohen nga opozita. Raporti amerikan i shërbimeve të zbulimit thotë se një zyrtar i lartë i regjimit ishte në dieni të sulmit dhe konfirmoi se ishin përdorur armë kimike, analizoi dëmin dhe shprehu shqetësim se mund të zbuloheshin autorët. Sekretari i Shtetit tha se të paktën 1,429 sirianë ishin vrarë, përfshirë të paktën 426 fëmijë.

Siria hedh poshtë akuzat se ka kryer sulme kimike, përfshirë akuzat se ka kryer një sulm në shkallë më të vogël në fillim të vitit. Damasku zyrtar akuzon kryengritësit për përdorimin e armëve kimike kundër ushtarëve sirianë. Zoti Kerry tha se shërbimet e zbulimit kanë besim të madh në informatat që kanë dhe shtoi se tani mbetet për të vendosur se çfarë do të bëjë Amerika dhe bota për këtë.

"Duhet të ngremë pyetjen se çfarë rreziku shoqërohet me pasivitetin. Masat tona kanë rëndësi pasi nëse vendosim të jetojmë në një botë ku vrasës si Bashar al-Assadi mund të vrasin mijëra vetë me gaz toksik pa u prekur nga ndëshkimi, dhe nëse bota nuk bën asgjë pas një sulmi të tillë, nuk do t’i gjendet fundi akteve që do të ndërmarrin elementë të tjerë që besojnë se mund të bëjnë ç’të duan”.

Presidenti Obama ndeshet me presion nga anëtarë të Kongresit për të hedhur në votë çdo vendim për veprime ushtarake kundër Sirisë. Anketat tregojnë se amerikanët janë kundër idesë së veprimit, ose e shohin me skepticizëm një përgjigje të mundshme ushtarake.

Zoti Obama tha dje se do të vazhdojë konsultimet me ligjvënësit amerikanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG