Lidhje

Kerry: Siria ka përdorur armë kimike


Përpara komenteve të Presidentit Obama, Sekretari i Shtetit John Kerry tha se sipas të dhënave të zbulimit amerikan, qeveria siriane është përgjegjëse për sulmin me armë kimike javën e kaluar, por ai nuk përmendi se si mund të kundërpërgjigjen Shtetet e Bashkuara.

Zoti Kerry tha se provat, të paraqitura sot në një variant të deklasifikuar të një raporti zbulimi, tregojnë se më tepër se 1,400 sirianë u vranë në sulmin pranë Damaskut, duke përfshirë të paktën 426 fëmijë.

Ai tha se tri ditë para sulmit, në atë zonë ndodhej një ekip sirian i armëve kimike. Zoti Kerry tha se raketat u hodhën vetëm nga zonat e kontrolluara nga regjimi dhe ranë vetëm në zonat e mbajtura nga opozita.

Raporti i zbulimit, tha zoti Kerry, përfshin interceptimin e komunikimeve, në të cilat një zyrtar i lartë sirian konfirmon sulmin me gaz helmues.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin vendimin e tyre në kohën e duhur.

Zoti Kerry e quajti Presidentin Bashar al-Assad "vrasës" dhe "bandit", dhe tha se regjimi i Asadit është fajtor për një krim kundër njerëzimit.

"Ne jemi të lodhur nga lufta," tha Sekretari i Shtetit, por lodhja nuk na bën të mos i shohim përgjegjësitë.

Ai shtoi se çdo vendim që do të merret për Sirinë nuk do të jetë i ngjashëm me Afganitanin dhe Irakun pra nuk do të ketë dërgim trupash në terren.

Ai tha se veprimi ushtarak do të jetë i kufizuar dhe se SHBA janë për një proces diplomatik sepse, theksoi Sekretari Kerry, çështja nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG