Lidhje

Kerry, thirrje Këshillit të Sigurimit të veprojë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të veprojë njëzëri për të siguruar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Gjatë një fjalimi dje në Uashington, zoti Kerry foli për rendësinë e veprimeve të zbatueshme për të asgjësuar armët kimike të Sirisë.

Zoti Kerry tha se një veprim i vendosur nga Këshilli i Sigurimit do të ndihmonte në mënjanimin e veprimeve ushtarake ndaj Sirisë dhe në spastrimin e botës nga armët e ndaluara.

“Kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve për të siguruar se Këshilli i Sigurimit do të respektojë vlerat mbi të cilat u themelua dhe do të miratojë një rezolutë që imponon mekanizmin më të fuqishëm të mundëshëm për të arritur synimin menjëherë. Marrëveshja e Gjenevës duhet të jetë kuptimplotë.”

Zoti Kerry dhe homologu i tij rus, Sergey Lavrov, ranë dakord gjatë një takimi në Gjenevë javën e kaluar për heqjen e armëve kimike nga kontrolli i Assadit. Zoti Kerry këmbënguli që asgjesimi të jetë i vërtetë dhe i verifikueshëm.
Presidenti Assad nuk pranon se forcat e tij kanë përdorur armë kimike. Ai akuzoi opozitën se ka përdorur gaz vdekjeprurës për të nxitur reagimin ndërkombëtar. Presidenti rus përsëriti po atë qendrim të enjten.

“Po nëse ato i ka përdorur opozita? Askush nuk thotë se çfarë duhet të bëjmë në këtë rast me opozitën. Nuk është pyetje boshe. Kemi çdo arsye për të besuar se është provokacion. Veprim dinak dhe i zgjuar por njëkohësisht i zbatuar në mënyrë primitive. Ata kanë marrë armë të vjetra sovjetike që prej kohësh janë hequr nga rezervat e ushtrisë siriane,” - tha presidenti Assad.

Nga ana e tij sekretari Kerry tha se raporti i OKB-së konfirmon pa mëdyshje se qeveria siriane ka përdorur rezervat e saj të armëve kimike.

“Bota mund të vendosë nëse u përdorën nga regjimi, i cili ka përdorur armë kimike edhe më parë. Pra, regjimi që kishte raketat dhe armët, apo nëse opozita u fut fshehurazi në territorin që ajo nuk e kontrollon dhe goditi prej andej me raketën që nuk posedon, me mbushje me gaz sarin të cilin ajo nuk e ka, që të vrasë njerëzit e saj. Dhe e gjitha kjo pa u vënë re. Pra, ata fshehën gjurmët dhe u larguan nga qendra e Damaskut të kontrolluar nga Assadi? - tha zoti Kerry.

Marrëveshja Amerikano-Ruse kërkon eleminimin e të gjitha armëve kimike në Siri deri nga mesi i vitit që vjen. Qeveria e Damaskut duhet të lejojë në muajin nëntor inspektorët e OKB-së që të punojnë për këtë projekt.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG