Lidhje

Kerry: Rusia nuk dëshiron t'i jap fund konfliktit në Ukrainë

  • Scott Stearns

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po vendosin sanksione të reja, më të ashpra kundër Rusisë për mbështetjen e separatistëve në Ukrainën lindore. Njoftimi për sanksionet e reja u bë dje pasi ministri i jashtëm i Ukrainës akuzoi Rusinë për vazhdimin e dërgimit të luftëtarëve dhe armëve në Ukrainën lindore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns sjell hollësitë.

Presidenti Barak Obama thotë se sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kundër sektorëve rusë të energjisë, mbrojtjes dhe atij financiar kanë për qëllim rritjen e trysnisë ndaj atyre që mbështesin "veprimet e paligjshme" të Moskës në Ukrainë.


"Gjërat nuk duhet të marrin këtë drejtim. Kjo është një zgjedhje që Rusia, dhe në veçanti Presidenti Putin, kanë bërë. Një zgjedhje më e mirë vazhdon të ekzistojë, ajo e uljes së tensioneve dhe bashkimit me botën për të gjetur një zgjidhje diplomatike për këtë situatë".

Veprimet evropiane janë veçanërisht të rëndësishme duke patur parasysh se Evropa është tregu më i madh i Rusisë, dhe ngurrimin e disa udhëheqësve evropianë për të zemëruar Moskën.

Por Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov thotë se sanksionet nuk do të arrijnë qëllimin e tyre.

"Unë ju siguroj se ne do të kapërcejmë çdo vështirësi që mund të lind në fusha të caktuara të ekonomisë, dhe ndoshta ne do të bëhemi më të pavarur dhe me më shumë besim në veten tonë, kjo është gjithashtu një gjë e mirë".

Ndërkohë që luftimet në Ukrainën lindore vazhdojnë, Shtetet e Bashkuara thonë se imazhet satelitore tregojnë se ushtria ruse nga territori i saj ka qëlluar me artileri objektivat në Ukrainë, akuza të cilat Rusia i ka hedhur poshtë.

Në një vizitë në Uashington të martën, ministri i jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin i tha Sekretarit të Shtetit John Kerry se forcat ukrainase "kurrë nuk u janë përgjigjur" bombardimeve ruse.

"Ka pasur gjithashtu shumë raste kur terroristët janë përpjekur të pozicionohen pikërisht pranë kufirit dhe kanë hapur zjarr mbi forcat ukrainase. Ne kemi treguar përmbajtje ekstreme duke u përpjekur të mos i përgjigjemi bombardimeve, për të mos provokuar situatën dhe për të mos shkelur detyrimet tona ndaj të drejtës ndërkombëtare. Pra të gjitha njoftimet se ne jemi përgjigjur me bombardime mbi territorin e Rusisë janë të pavërteta".

Sekretari Kerry fajësoi Rusinë për vazhdimin e konfliktit.

"Ndërsa rusët kanë thënë se duan të ulin tensionet, veprimet e tyre nuk kanë treguar asnjë dëshmi se ata me të vërtetë kanë dëshirë t'i japin fund dhunës dhe gjakderdhjes. Si rezultat i kësaj, separatistët e mbështetur nga Rusia po refuzojnë t’i ulin armët dhe të bëhen pjesë e procesit politik".

Sekretari Kerry tha se ai është duke punuar shumë për të gjetur një qasje politike për trajtimin e siç tha ai "interesave legjitime" të Rusisë në Ukrainë në lidhje me pakicat etnike dhe të ardhmen ekonomike të vendit.

XS
SM
MD
LG