Lidhje

Kerry kërkon vigjilencë kundër prirjeve nacionaliste

  • Zllatica Hoke

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka bërë thirrje për vigjilencë kundër prirjeve nacionaliste që kërcënojnë të ndajnë botën. Kryediplomati në largim, sëcbashku me tre paraardhës të tij, vlerësuan historinë e diplomacisë amerikane në një ceremoni të martën që shënoi përurimin e Qendrës Amerikane për Diplomaci në Departamentin e Shtetit.

Zoti Kerry dhe ish sekretarët e shtetit Madeleine Albright, Hillary Clinton dhe Colin Powell vlerësuan rolin e diplomacisë amerikane për ruajtjen e paqes në botë, zgjidhjen e konflikteve dhe nxitjen e zhvillimit për përmirësimin e jetës. Zoti Kerry bëri thirrje për vigjilencë ndaj nacionalizmit dhe prirjeve të tjera që kërcënojnë përçarjen e botës.

“Ka shumë zëra në botë që kanë hequr dorë nga diplomacia. Ata inkurajojnë hapur prishjen e bashkëpunimit, ndërtimin e mureve ekonomike dhe politike, rritjen e mosbesimit dhe ndarje përgjatë linjave racore, etnike, nacionale dhe fetare.”

Zoti Kerry tha se historia e doplomacisë amerikane reflekton një vizion shumë më të ndryshëm dhe shpresëdhënës.

“Përkatësia etnike, prejardhja apo emrat nuk janë ato që përcaktojnë se kush jemi ne. Ne karakterizohemi nga një ide. Ndryshe nga shumë vende, ne besojmë në idenë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.”

Në një reagim diplomatik ndaj kritikave drejtuar gjatë fushatës së saj presidenciale vitin e kaluar, Hillary Clinton tha se pavioni që mban emrin e saj është pjesa më transparente e të gjithë projektit. Ajo tha se sot mësimet e diplomacisë janë më jetike dhe urgjente se kurr.

“Demokracia, liria dhe zbatimi i ligjit po sulmohen në disa vende të botës. Një valë në rritje e autoritarizmit dhe demokracisë boshe kërcënon themelet e epokës globale pas Luftës së Dytë Botërore që diplomatët amerikanë kanë ndërtuar dhe mbrojtur që nga George Marshall e Dean Acheson.”

Mes tensioneve aktuale me Rusinë, ish Sekretari i Shtetit Colin Powell kujton një kohë kur marrëdhëniet ishin më miqësore, kur homologu rus Igor Ivanov i dhuroi një shishe me vodkë.

“Shishja në formën e kallashnikovit dhe lavdia që mbart, janë tani këtu në Departamentin e Shtetit.”

Qendra Amerikane për Diplomaci është një muze që i kushtohet historisë së diplomacisë amerikane dhe punës së rëndësishme dhe shpesh të rrezikshme të diplomatëve amerikanë. Ajo do të hapet për publikun nga fundi i vitit që vjen.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG