Lidhje

Relatorët e KiE-s: Zgjidhje e shpejtë për KQZ

  • Armand Mero

Në Shqipëri dy relatorët e Këshillit të Europës shprehën sot në përfundim të misionit të tyre shqetësimin për situatën e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve duke bërë thirrje për një zgjidhje të shpejtë të problemit. Ata deklaruan se është detyrim i forcave politike të ndërtojnë besimin të populli shqiptar për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Javën e ardhshme ata pritet të paraqesin raportin e tyre pranë Komitetit Monitorues të Këshillit në Strasburg, duke qenë se Shqipëria është ende një vend nën monitorim.


Dy relatorët e Strasburgut qëndruan tre ditë në Shqipëri në një mision vlerësimi mbi angazhimet e vendit ndaj standardeve të Këshillit të Europës, për demokracinë, respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sic shpjeguan edhe ata vetë roli i tyre është të vlerësojnë nëse Shqipëria është në gjendje të përmbushë detyrimet e saj, përfshirë sigurimin e demokracisë parlamentare dhe zgjedhjet e lira e të ndershme sipas standardeve të Këshillit të Europës. “Vizita jonë ka përkuar me një periudhë të trazuar në lidhje me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një organ që ne besojmë se jo vetëm duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm, por ka edhe nje rol vendimtar në sigurimin e zgjedhjeve të tilla”, deklaroi Jonathan Evans, relator i KiE-s.

Situata e krijuar në Komisionin Qëndror e ka zanafillën te vendimi i shumicës së djathtë për të zëvendësuar anëtarin e propozuar nga Lëvizja socialiste për Integrim, pas daljes së saj nga qeveria dhe aleancën me socialistët. Një vendim të cilin opozita e kundërshtoi fort si një dhunim të kushtetutës dhe institucionit të KQZ-së, e mbi të cilin ngritën pikëpyetje të forta edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Situata u përkeqësua pas dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga partia socialiste e më pas dje me pezullimin e aktivitetit të tij edhe të një anëtari të tretë, Jani Jani, i propozuar nga PBDNJ.

Komisioni gjendet praktikisht në krizë. Formalisht ai mund të vazhdojë aktivitetin, por vetëm me katër anëtarë e ka të pamundur të marrë vendime të rëndësishme që lidhen me rezultatin e zgjedhjeve. “Ne nxisim fuqimisht të gjitha partitë politike të bëhen bashkë në mënyrë urgjente dhe të zgjidhin çrregullimin aktual që po ndikon në funksionimin e KQZ-s”, shtoi zoti Evans. Ai nënvizoi rëndësinë që ka krijimi i besimit të qytetarëve te procesi zgjedhor: “Ne mendojmë se ka një obligim për të gjitha partitë politike shqiptare për ndërtimin e besimit mes popullit shqiptar për realizimin zgjedhjeve të tilla të lira e të ndershme në muajin Qershor, këtë vit”.

Dy relatorët e Këshillit të Europës theksuan se zgjedhjet janë gjithashtu vendimtare për vlerësimin e nevojës për vazhdimin e procedurës monitoruese nga ana e Këshillit. Shqipëria është anëtare që prej vitit 1995, por ajo është ende nën monitorim së bashku me 9 shtete të tjera. “Ne presim gjithashtu progres në të ardhmen në lidhje me kërkesat e vetë Këshillit të Europës për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Na janë shprehur gjithashtu shqetësime në lidhje me nevojën për vendosjen e pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Medias dhe për mbrojtjen e këtij organi nga ndërhyrjet politike”, u shpreh relatori tjeter Grigore Petrenco.

Ndërkohë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vazhduar aktivitetin e tij. Sot ai miratoi edhe listën prej 67 partishë që do të marin pjesë në garë. Javën e ardshme duhet të dorrëzohen edhe koalicionet në garën e 23 qershorit. Socialistët firmosën sot marrëveshjet elektorale me 43 forca politike. Mbetet zyrtarizimi me socialdemokratët, Demokracinë sociale dhe Lëvizjen socialiste për integrim, ndërsa është ende e paqartë marrëdhënia me Aleancën Kuqezi dhe Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut .
XS
SM
MD
LG