Lidhje

Strasburgu: Shqetësim tensioni politik e korrupsioni


Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës shprehu sot shqetësim për retorikën e rënduar politike mes palëve në Shqipëri. Në rezolutën e miratuar nga asambleja i bëhej thirrje opozitës që të mos përdorë bojkotin ndaj parlamentit, ndërsa të majtës në pushtet që të mos përdorë shumicën e kualifikuar për të anashkaluar opozitën. Rezoluta shpreh shqetësim edhe për korrupsionin e lartë dhe nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit të Drejtësisë:

Këshilli i Europës: Shqetesim klima politike dhe korrupsioni
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00


Rezoluta e Këshillit të Europës u hartua nga dy relatorët e asamblesë parlamentare për Shqipërinë, anglezi Jonathan Evans dhe moldavi Grigore Petrenco, pas disa vizitave që ata kanë kryer më herët në Shqipëri. Ishin po ata që i paraprinë diskutimeve të sotme në Strasburg dhe miratimit të tekstit përfundimtar. Sipas asamblesë, pavarësisht përparimeve të vëna re, për Shqipërinë “mbeten ende shqetësime serioze” dhe vendi do të vazhdojë të jetë nën monitorim.

Situata politike në vecanti vazhdon të jetë një cështje problematike, për shkak të “retorikës së rënduar” dhe “marrëdhënieve mes opozitës dhe qeverisë”. Dokumenti i bën “thirrje opozitës që të mos përdorë bojkotin e punimeve të parlamentit dhe komisioneve të tij”, ndërsa nga ana tjetër i drejtohet dhe të majtës në pushtet që “të mos përdorë shumicën e saj kushtetuese për të anashkaluar opozitën dhe kur është e mundur, të kërkojë konsensusin e opozitës për reformat e rëndësishme”.

Si në të gjitha raportet ndërkombëtare, drejtësia dhe korrupsioni shihen si probleme serioeze edhe nga asambleja e Këshilit të Europës. Ajo shpreh shqetësimin se “megjithë reformat e shumta, pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit nuk është mjaftueshëm e garantuar dhe se ai vazhdon të vuajë nga trysnia politike dhe ndërhyrjet”. Sipas dokumentit “janë urgjentisht të nevojshme reforma të tjera gjithpërfshirëse dhe konsensuale, përfshirë ndryshimet në kushtetutë, me qëllim që të garantojnë një gjyqësor të pavarur dhe një administratë gjyqësore efikase, dhe këto duhet të jenë një përparësi absolute e autoriteteve”, theksohet në dokument. Asambleja “inkurajon reformën e Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, ndërsa i kërkon autoriteteve “zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit”. Sipas rezolutës “të gjitha nivelet e gjyqësorit janë të prekura nga një korrupsion i përhapur dhe sistemik”.

Por shqetësimi për korrupsionin nuk shtrihet vetëm të gjyqësori. Fenomeni shihet i përhapur në të gjitha nivelet e jetës në Shqipëri, nënvizon rezoluta. Sipas saj “pavarësisht rritjes së numrit të ndjekjeve penale nga prokuroria, shumë tregues dëshmojnë se në vend që të ulej, korrupsioni është rritur vitet e fundit”. Një gjë e tillë, nënvizohet në dokument, “tregon se masat dhe strategjitë antikorrupsion kanë dhënë vetëm rezultate të kufizuara”.

Asambleja trajton edhe cështjen e administratës publike duke e cilësuar si “të debatueshëm” vendimin për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për shërbimin civil, shtatorin e kaluar, gjë e cila “së bashku me ndryshimet e bëra me ardhjen në pushtet të qeverisë së re, janë tregues i politizimit të shërbimit civil dhe përpjekjeve për ta vënë atë nën kontrollin e një partie”, nënvizohet në rezolutën e miratuar sot në Strasburg.

XS
SM
MD
LG