Lidhje

Këshilli i Sigurimit pritet të votojë mbi dërgimin e vëzhguesve ushtarakë në Siri


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot mbi vendimin në se do të dërgojë një ekip vëzhguesish ushtarakë në Siri për të monitoruar një armëpushim mes qeverisë dhe luftëtarëve të opozitës.

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe, Kofi Anan, hyri në fuqi të enjten, por dje filluan të shfaqeshin shenja shkeljeje të tij, ndërkohë që forcat siriane të sigurisë qëlluan dhe vranë të paktën pesë protestues dhe disa përleshje shpërthyen afër kufirit turk.

Plani i propozuar nga zoti Anan bën thirrje që qeveria të tërheqë trupat nga zonat urbane dhe të përfundojë shtypjen e dhunshme një vjeçare ndaj kundërshtuesve të saj. Ky plan gjithashtu i bën thirrje rebelëve që të ndalojnë luftimet.

Protesta masive të opozitës u zhvilluan në disa zona të vendit ku pati përleshje. Aktivistët thonë se forcat qeveritare qëlluan mbi demonstruesit në disa vende, duke përfshirë edhe një nga qendrat kryesore të protestave, qytetin Hama.

Grupe aktiviste dhe fshatarë turq thonë se trupat siriane dhe forcat kryengritëse u përleshën në afërsi të kufirit turk. Disa nga luftimet njoftohet se ishin të ashpra.

Qeveria siriane tha se do të përgjigjet vetëm ndaj sulmeve të ndërmarra nga militantët e armatosur. Por aktivisti i opozitës në Hama Samir al-Husain i tha Zërit të Amerikës se të shtënat e së premtes në qytet ishin të pashkaktuara.

XS
SM
MD
LG