Lidhje

Iluzionisti ndihmon personat me aftësi të kufizuara

  • Julie Taboh

Magjia ka qenë pjesë e pothuajse çdo kulture në botë, për shekuj me radhë. Por magjistari amerikan Kevin Spencer e ka çuar artin e iluzionit një hap më tej. Ai e përdor talentin e tij jo vetëm për të argëtuar, por edhe për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara.
Kevin Spencer ka qenë një magjistar për më shumë se 30 vjet.

"Pashë shfaqjen e parë të magjisë kur isha pesë vjeç dhe e mbaj mend fare qartësisht kur i thashë nënës: 'Kur të rritem, do të bëhem magjistar."

Por në fillim të karrierës së tij, një aksident i rëndë me makinë ndryshoi fokusin e punës së tij.

"Makina në të cilën isha u godit nga një rimorkio kamioni. U zgjova në sallën e kujdesit intensiv të neurologjisë me një dëmtim të mbyllur në tru dhe një dëmtim në pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore dhe kalova pothuajse një vit në terapi, duke u përpjekur të rifitoja aftësitë e humbura si rezultat i aksidentit."

Përvoja e tij e bëri të mendonte lidhur me përdorimin e numrave të tij magjikë si një mjet për terapi.

"Ne dimë nga studimet që magjia është terapeutike, por gjithashtu dimë se të gjitha lëvizjet që janë të nevojshme për të kryer një numër magjie janë të njëjtat që nevojiten për format më tradicionale të terapisë."

Kështu, zoti Spencer filloi të punonte në të gjithë botën, duke u mësuar numra magjikë fëmijëve dhe të rriturve me nivele të ndryshme të aftësive të kufizuara.

"Pra, ne po punojmë mbi aftësitë motorike, aftësitë njohëse, aftësitë perceptuese, aftësitë sociale dhe kur mbaron, ke në fakt një numër iluzioni me të cilin mund të krenohesh para të tjerëve."

Dhe ky ndërveprim shoqëror ndihmon gjithashtu fëmijët të fitojnë besim tek vetja.

Kështu ndodhi me Liam Shannon, i cili është diagnostikuar në spektrin autik. Përvetësimi i disa trukeve të thjeshta e bëri 10-vjeçarin të ndjente një shumëllojshmëri emocionesh...

"Më bëri të ndihesha magjistar. Seriz, të lumtur, krenar. Ishte fantastike!"

"Mendoj se kjo e bëri të ndihej mirë në lidhje me veten. Për shkak se ai e kuptoi se ai kishte arritur diçka. Ai e pa numrin e iluzionit, e vërejti, e mësoi dhe e realizoi," thotë nëna e tij.

Zoti Spencer thotë se të shohësh fëmijët si Liam ndërsa gëzohen në një aktivitet të tillë është magjia më e bukur.

"Mund të jemi në një skenë dhe të marrim duartrokitjet e mijëra njerëzve, por ajo nuk është asgjë në krahasim me buzëqeshjen që çel në fytyrën e një fëmije kur thotë: ‘Shiko! E bëra,’ dhe ti i thua ‘Po, ia arrite!’"

Kevin Spencer planifikon të kalojë gjithnjë e më shumë kohë me njerëzit me aftësi të kufizuara, për t’i ndihmuar të zbulojnë magjistarin që fshihet tek ta.

XS
SM
MD
LG