Lidhje

KFOR-i fillon aksionin për zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës


KFOR-i fillon aksionin për zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës
KFOR-i fillon aksionin për zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës

Trupat paqeruajtëse të NATO-s filluan sot në orët e para të mëngjesit një aksion për zhbllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimit kufitar në Bërnjak në veriun e Kosovës me qëllim të vendosjes së lëvizjes së lirë.

KFOR-i ka bërë të ditur se gjatë aksionit janë lënduar lehtë tetë ushtarë të saj. Ndërkaq, burimet lokale serbe të informimit flasin për 22 serbë të plagosur gjatë aksionit të sotëm.

Zyrtarë të KFOR-it thanë se kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë serbët lokal, që po i pengonin ata në largimin e barrikadave.

Ndërkaq, Misioni i Bashkimit Evropian për policinë e drejtësinë, nëpërmjet një komunikate për opinion ka bërë të ditur se trupat e saj dhe KFOR-i kanë filluar “një operacion të përbashkët për rivendosjen e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës”.

Në komunikatë thuhet se “barrikadat u larguan dhe u vendosën pika të kontrollit për automjete dhe postblloqe dhe këto veprime janë ndërmarrë afër pikëkalimit 31 si dhe në zonën e Zubin Potokut. Qëllimi i përgjithshëm është që të përmirësohet gjendja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës”.

“Janë shënuar disa incidente të vogla dhe EULEX-i kërkon nga qytetarët ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë sundimin e ligjit. Këtë e presin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, përmes një komunikate për opinion u ka bërë thirrje serbëve lokal të mbesin të qetë, ndërsa trupave paqeruajtëse të NATO-s t’i shmanget përdorimit të dhunës.

“Udhëheqësit e serbëve lokalë do të duhej të punonin vetëm në interesin e njerëzve dhe jo nën ndikimin e disa partive politike serbe”, thuhet në komunikatën e presidentin serb Boris Tadiq.

Trupat e NATO-s kishin caktuar ditën e djeshme si afat për zhbllokimin e rrugëve, por serbët në veriun e Kosovës refuzuan thirrjet e KFOR-it për të hequr barrikadat e ngritura në rrugët kryesore në atë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë.

XS
SM
MD
LG