Lidhje

KFOR-i kërkon zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës

  • Leonat Shehu

KFOR-i kërkon zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës

KFOR-i kërkon zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës

Në Kosovë, Komandanti i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali gjerman Erhard Drews takoi sot udhëheqësit lokal të serbëve në veri më përpjekje për të siguruar zhbllokimin e rrugëve të zonës. Banorët serbë në veriun e Kosovës po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët e zonës në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë kufitare dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Të paktën 11 veta u plagosën në fund të shtatorit gjatë një përleshjeje ndërmjet forcave të NATO-s dhe protestuesve serbë, ndërsa në korrik, një pjesëtarë i policisë së Kosovës u vra në një pritë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Forcat paqeruajtëse në Kosovë thanë se protestuesve serb u është dhënë mundësia që gjatë fundjavës të zhbllokojnë rrugët në atë zonë me qëllim të vendosjes së lëvizjes së lirë. KFOR-i ka tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojë bllokimin e rrugëve për një kohë të gjatë, ndërsa i ka cilësuar të paligjshme. Zyrtarë të KFOR-it nuk dhanë hollësi të diskutimeve me përfaqësuesit e serbëve, ndërsa këta të fundit thanë se është kërkuar që deri të hënën të zhbllokohen rrugët dhe të mundësohet lëvizja e lirë. Ata thanë se për këtë do të zhvillohen këshillime të mëtejshme me strukturat politike në veri.

Beogradi, i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon që në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të përfshihet statusi i vendkalimeve kufitare me Serbinë, ndërsa Prishtina refuzon një gjë të tillë.

Bisedimet janë ndërprerë për shkak të një qëndrimi të tillë të Beogradit, i cili përballet me kushtin e vendosur nga Komisioni Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, tha dje në Beograd se Komisioni Evropian do të rekomandojë datën për fillim e negociatave me Serbinë për anëtarësim, pasi të jetë shënuar përparim në vazhdimin e bisedimeve me Kosovën. Komisioni Evropian të enjten hodhi propozimin që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, por me kusht themelor, përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ende nuk është e qartë, por muaji i ardhshëm përmendet si periudhë e mundshme e vazhdimit të bisedimeve mbi çështjet praktike të interesit të përbashkët të të dyja palëve.

XS
SM
MD
LG